Nga: Hazër Susuri për Agro Portal
Në një kohë kur kërkesat për prodhime bujqësore të shëndetshme dhe të sigurta po rriten, përdorimi racional i plehrave në perime si kastraveci, speci dhe domatja mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për fermerët. Kastraveci, si kulturë që rritet shpejt dhe kërkon ushqim të vazhdueshëm, veçohet për nevojën e tij për plehërim të saktë, sidomos për kaliumin që është thelbësor për cilësinë e frutit dhe lëkurën e hollë.
Pse është i rëndësishëm një plehërim i balancuar?
- Siguron rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të bimës, veçanërisht tek kastraveci
- Rrit rezistencën ndaj stresit klimatik dhe sëmundjeve
- Përmirëson cilësinë dhe shijen e frytit
- Parandalon ndotjen e tokës dhe ujërave nga mbipërdorimi i plehrave
Fazat e plehërimit gjatë ciklit të kultivimit:
- Faza e përgatitjes së tokës (parapërgatitëse):
- Aplikohet plehu bazë: organik (pleh i shtallës i dekompozuar mirë), pleh i balancuar NPK (15-15-15+ME) ose formulime të tjera si NPK 12-12-17, NPK 15-5-20.
- Qëllimi: siguron rezervë fillestare të lëndëve ushqyese dhe aktivizon jetën mikrobiologjike të tokës.
- Faza e rritjes vegjetative (2–4 javët e para pas mbjelljes):
- Nevojë e lartë për azot (N) për rritjen e masës vegjetative dhe përmirësimin e strukturës së bimës.
- Përdoren plehrat likuide me përmbajtje oksid Kalciumi dhe Oksid Magnezi 10-1.2 ose plehra organike likuide me përmbajtje acidieve fulvike dhe acideve humbke.
- Produkte të rekomanduara: 30-10-10, plehra të tretshme për fertigim ose foliar.
- Faza e lulëzimit dhe formimit të frutave:
- Fosfori (P) dhe kaliumi (K) janë të domosdoshëm për lulëzim dhe formim frutash.
- Produkte: 10-40-10.
- Faza e pjekjes dhe prodhimit:
- Nevoja për kalium rritet për të siguruar ngjyrë dhe shije të mirë, veçanërisht tek kastraveci.
- Përdoren: 12-8-24+10CaO dhe mikroelemente.
Kultura specifike:
- Kastraveci:
Rritet shpejt dhe kërkon ushqim të vazhdueshëm gjatë gjithë ciklit të kultivimit. Kaliumi është kyç për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e frutit, si dhe për lëkurën e tij të hollë dhe të shëndetshme. - Speci:
Ka nevojë më të moderuar për azot, por kërkon sasi të mjaftueshme të fosforit. Është i ndjeshëm ndaj mungesës së borit dhe magnezit. - Domatja:
Ka nevojë të lartë për kalcium për të parandaluar kalbjen e majës së frutit. Plehërimi bëhet në 4–6 etapa, çdo 10–15 ditë në sera, duke përdorur produkte si Nitrocam, Kalcinit, Calmag ose nitrat kalciumi gjatë formimit të frutit.
Këshilla për përdorim të zgjuar dhe të qëndrueshëm:
- Bëni analizën e tokës para çdo sezoni kultivimi.
- Zgjidhni plehra me përqindje të balancuar dhe lëndë të tretshme.
- Përdorni plehra foliare vetëm si shtesë për të plotësuar nevojat.
- Shmangni përdorimin e tepruar të azotit që dëmton cilësinë dhe mjedisin.
- Përfshini mikroelementë si bor, mangan, zink dhe molibden për të mbështetur rritjen optimale.
Konkluzion
Përdorimi racional i plehrave është çelësi për një prodhim të qëndrueshëm dhe cilësor, veçanërisht për kastravecin që ka kërkesa të veçanta ushqyese. Fermerët që ndjekin praktikat e plehërimit të balancuar dhe kujdesen për nevojat specifike të kulturave, do të sigurojnë një prodhim më të mirë dhe një mjedis më të shëndetshëm.



