Mbahet punëtoria për “Sfidat në sektorin e shërbimeve këshilluese bujqësore private në Kosovë”
Data: 31.05.2023
Fondacioni AgroDev Kosovo, në bashkëpunim me projektin SIRED, implementuar nga CARITAS-i zviceran dhe financuar nga ADA Austriake në Kosovë organizuan punëtorinë me temën “Sfidat në sektorin e shërbimeve këshilluese bujqësore private në Kosovë”.
Fondacioni AgroDev një organizatë me synim promovimin e bujqësisë së qëndrueshme, u angazhua të sjellë bashkë ekspertë dhe anëtarë të shoqatave aktive të sektorit bujqësor, për të diskutuar dhe adresuar sfidat me të cilat përballen shërbimet këshilluese bujqësore private në Kosovë.
Punëtorinë e karakterizoi një diskutim intensiv si dhe ndarja e njohurive dhe përvojave nga pjesëmarrësit për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për sfidat specifike. Temat që u trajtuan përfshinin standardizimin e këshilldhënies, krijimin e platformave digjitale në shërbime këshillimore si dhe çështjet e politikave mbështetëse dhe regullatore që ndikojnë në sektorin e shërbimeve këshilluese bujqësore.
Kjo Punëtori, shënoi një hap të rëndësishëm drejt nxitjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive dhe përvojave në sektorin bujqësor të Kosovës, me qëllim të adresimit të sfidave dhe identifikimit të mundësive për zhvillimin e shërbimeve këshilluese bujqësore private sa më të qëndrueshme.