Nga: Hazër Susuri për Agro Portalin
Ndryshimet klimatike, me rritjen e temperaturave, thatësirave më të shpeshta dhe reshjeve të paparashikueshme, kanë sjellë sfida të reja për bujqësinë, veçanërisht për prodhimin e perimeve. Për të ruajtur rendimentin dhe cilësinë, seleksionimi i hibridëve të rinj të përshtatshëm ndaj stresit klimatik është bërë një nga prioritetet kryesore të prodhuesve të farërave dhe kërkimeve të vazhdueshme shkencore.
DOMATE – Hibridet e domateve të kuqe dhe rozë të përshtatshme ndaj ndryshimeve klimatike
Në vitet e fundit, janë seleksionuar disa hibride të reja të domateve të kuqe dhe rozë që ofrojnë tolerancë më të mirë ndaj temperaturave të larta, stresit ujor dhe sëmundjeve bakteriale.
Hibridet e domateve të kuqe siç janë: Brillante F1 dhe Primabel F1 domate qershi janë të përshtatshme për prodhim intensiv, rezistente ndaj virusit të mozaikut dhe ofrojnë qëndrueshmëri të lartë në kushte të thata. Në Kushtet klimatike të Kosovës, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë përshtatur hibridet HTP-11 F1 domate rozë e prodhuesit Hazera, pastaj Hibridet rozë, siç janë: Pink Wonder F1 e prodhuesit Vilmorin, Manistella F1 dhe Pink Rock F1, janë seleksionuar për tregjet që kërkojnë shije tradicionale dhe ngjyrë tërheqëse, por me tolerancë ndaj temperaturave të larta në serrë dhe fusha të hapura. Këto hibride përmbajnë sisteme rrënjore të zhvilluara, lulëzim të vazhdueshëm edhe në kushte stresuese, dhe fruta me qëndrueshmëri gjatë magazinimit dhe transportit.
SPEC – Rezistencë dhe prodhim edhe në kushte ekstreme të motit
Speci është ndër kulturat më të ndjeshme ndaj stresit klimatik dhe mungesës së ujit. Hibridet më të fundit janë seleksionuar për:
- Prodhim të qëndrueshëm gjatë verës me temperatura të larta.
- Tolerancë ndaj sëmundjeve të rrënjës si Fusarium dhe Verticillium.
- Fruta me ngjyrë intensive dhe lëkurë të trashë, të përshtatshme për treg të freskët dhe përpunim.
Disa hibride të rekomanduara për këto kushte përfshijnë:
- Spec të tipit kapia dhe somborkë
KASTRAVEC – Qëndrueshmëri në temperatura të larta dhe prodhim afatgjatë
Kastraveci, veçanërisht në mjediset e mbrojtura, është prekur ndjeshëm nga ndryshimet e klimës. Hibridet e kohëve të fundit që janë seleksionuar kanë veçoritë siç janë:
- Përdorim racional të ujit (eficiencë ujore).
- Tolerancë ndaj nxehtësisë dhe reshjeve të papritura.
- Rezistencë ndaj hirit, vrugut dhe viruseve të zakonshme në verë.
Hibride të rekomanduara për prodhim të qëndrueshëm:
Multistar F1 dhe Delistar F1 – me cikël të gjatë prodhimi, forma uniforme dhe shije e mire të prodhuesit Rijk Zwaan.
Eurostar F1 e prodhuesit Hazera– hybrid i qëndrueshëm për kushte të paqëndrueshme.
Cassius F1 I prodhuesit ZKI – rezistencë ndaj stresit klimatik dhe prodhim të lartë të frutave dhe
Kybria F1.
Përfundim
Përdorimi i hibridëve të seleksionuar posaçërisht për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike është një nga mënyrat më efektive për të garantuar prodhim të qëndrueshëm, cilësi tregu dhe siguri ushqimore në vitet në vijim. Fermerët inkurajohen të informohen rregullisht mbi varietete të reja dhe të bashkëpunojnë me agronomë dhe furnitorë zyrtarë të farërave për të përzgjedhur varietetin më të përshtatshëm për zonën e tyre.



