Forumi “Partneriteti përmes Private Label” thekson mundësitë për prodhuesit vendorë

Më 25 qershor 2025 u mbajt me sukses eventi “Forumi i Partneritetit përmes Private Label,” i organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës – PePeKo. Ky forum mblodhi bashkë përfaqësues të sektorit të përpunimit ushqimor dhe rrjeteve tregtare, me qëllim promovimin e bashkëpunimit nëpërmjet modelit të markës private (Private Label).

Fjalët hyrëse u mbajtën nga z. Hartim Gashi, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës PePeKo, i cili theksoi rëndësinë dhe vlerën e organizimit të ngjarjeve të tilla që promovojnë bashkëpunimin konkret ndërmjet prodhuesve vendorë dhe rrjeteve tregtare. Në vazhdim, z. Veton Rruka, Menaxher i projektit EREA nga Caritas-i Zviceran, theksoi nevojën për mbështetjen e iniciativave që forcojnë partneritetet lokale dhe krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e sektorit agro-përpunues në Kosovë

Fokusi kryesor i eventit ishte rëndësia e këtij modeli për zhvillimin e prodhuesve vendorë. Z. Hartim Gashi – drejtor ekzekutiv në shoqatën PePeKo mbajti një prezantim hyrës, ku sqaroi konceptin e Private Label – Ky model përfaqëson një mundësi të rëndësishme për bashkëpunim afatgjatë mes prodhuesve vendorë dhe rrjeteve tregtare apo distributorëve. Në këtë formë partneriteti, prodhuesi ofron produktin me cilësi dhe standard të lartë, ndërsa partneri tregtar e vendos atë në treg me markën e tij. Kjo u mundëson prodhuesve që të zgjerojnë praninë e tyre në treg, të arrijnë më shumë konsumatorë dhe të rrisin kapacitetet prodhuese, duke ndërtuar besim të qëndrueshëm me rrjetin që e përfaqëson produktin. Për konsumatorin, produkti vjen me një markë të njohur dhe të besueshme; për prodhuesin, kjo është një derë e hapur drejt rritjes dhe konsolidimit në treg.

Pas këtij prezantimi, znj. Nora Jashari, përfaqësuese nga Viva Fresh Store, mbajti një prezantim me temën: “Mundësitë për bashkëpunim përmes programit të Private Label me Viva Fresh Store.” Ajo ndau shembuj konkretë mbi mënyrën se si Viva Fresh bashkëpunon me kompani dhe prodhues lokalë për të zhvilluar dhe tregtuar produkte nën markë private, duke theksuar përfitimet reciproke nga ky model.

Në vijim, u zhvillua një panel diskutimi me temën: “Si ndikon Private Label në përfitimet biznesore dhe ekonominë vendore,” me pjesëmarrjen e:

  • znj. Mimoza Hasani – Viva Fresh Store
  • znj. Florida Beqiri – Vision Distribution
  • z. Maliq Hoti – Terra Foods

Gjatë panelit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit mes kompanive prodhuese dhe rrjeteve tregtare, sfidat e garantimit të cilësisë dhe konsistencës së prodhimit, si dhe kapacitetet e nevojshme për të përmbushur kërkesat e tregut.

Eventi u përmbyll me takime B2B, të cilat ofruan një hapësirë të vlefshme për krijimin e partneriteteve konkrete mes prodhuesve vendorë dhe rrjeteve të marketeve apo distributorëve, duke nxitur më tej zhvillimin dhe lidhjen e tregut vendor me rrjetet e shitjes me pakicë.

Ky forum shërbeu si një platformë e rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe fuqizimin e zinxhirit të vlerës në sektorin e përpunimit ushqimor në Kosovë.

Scroll to Top