Siç pamë këto ditë me rastin e fermerit nga fshati Kusar i Istogut, puna e tetë muajve mund të zhduket për vetëm një orë. Rreth 100 hektarë me grurë u bënë shkrumb e hi për Sadush Kabashin, i cili raportoi se dëmi ekonomik që i është shkaktuar kap vlerën mbi 100 mijë euro. Sipas tij, mbi 50% e sipërfaqes së grurit kishte mbetur ende e pakorrur në momentin kur shpërtheu zjarri.
Megjithatë, ky është vetëm një prej rasteve ku zjarri është përhapur në mënyrë të paqëllimshme. Fatkeqësisht, nuk janë të rralla rastet kur zjarret shkaktohen qëllimisht, përmes djegies së hamullorëve, një praktikë e dëmshme që vazhdon prej vitesh në bujqësinë tonë.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje të gjithë fermerëve që të heqin dorë nga djegia e hamullorëve pas korrjes së grurit. Djegia e mbeturinave bimore dhe barit të thatë mund të përshkallëzojë në zjarre të pakontrolluara, duke rrezikuar:
· Shpërndarjen e zjarreve në zona të banuara dhe pyje;
· Dëmtime të mëdha materiale dhe të të lashtave;
· Rrezikim të jetës së njerëzve dhe të kafshëve;
· Dëme të pariparueshme për ambientin dhe biodiversitetin.
Lokalizimi dhe shuarja e zjarreve shpesh është tepër e vështirë, sidomos në kushte klimatike me temperatura të larta dhe erëra, duke vënë në rrezik jo vetëm ekonominë e fermerëve, por edhe sigurinë publike.
Le ta marrim rastin e Istogut si një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi. Tokat tona janë burim jetese, dhe duhet të trajtohen me kujdesin dhe respektin që meritojnë.
Djega e hamulloreve në tokë ndikon negativisht dhe ka efekte si:
· Mund të rezultojë në humbjen e biomasës në përgjithësi.
· Rritet rrezikshmëria e paraqitjes së Agjentëve të dëmshëm biologjik, pasi shumë mikroorganizma në ajër vriten gjatë djegies. Mbytja e këtyre mikroorganizmave mund të çojë në një rritje të dëmtuesve të cilët mund të shkaktojnë sëmundje në kulturat e korrura.
· Çdo vit kur hamulloret digjen, azoti, sulfuri, fosfori, karboni organik dhe kaliumi shkatërrohen.
· Kur toka e kultivuar digjet, shkatërrohet struktura e saj dhe zvogëlohen lëndët ushqyese në tokë dhe e bën atë më pak pjellore.
· Nxehtësia krijohet pasi procesi i djegies së hamulloreve depërton në tokë, gjë që rezulton në humbjen e lagështirës dhe mikrobeve të dobishme.
· Djegia e hamulloreve është një nga shkaqet kryesore të ndotjes së ajrit e cila përkeqëson cilësinë e ajrit.
· Djegia e hamulloreve liron shumë ndotës toksikë në atmosferë, duke përfshirë gazra të dëmshëm si monoksidi i karbonit, metani, komponimet organike të paqëndrueshme dhe hidrokarburet aromatike policiklike kancerogjene.
· Djegia e hamulloreve është një kontribues i rëndësishëm në ndotjen atmosferike, duke zënë vendin e tretë pas emetimeve industriale dhe të automjeteve. Në të njëjtën kohë,
globalisht, ai përbën rreth një të katërtën e djegies totale të biomasës (duke përfshirë zjarret në pyje).
· Janë vënë re disa efekte shëndetësore që rrjedhin nga ndotja e ajrit, duke filluar nga acarimi i lëkurës dhe syve deri te sëmundjet e rënda neurologjike, kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.
· Ndikon në rritje të temperaturës së tokës në rreth 42°C, duke zhvendosur ose mbytur mikroorganizma të rëndësishëm deri në një thellësi prej rreth 2,5 cm.
· Pengon produktivitetin në bujqësi sepse ndotësit në atmosferë çojnë në shiun acid dhe ekspozimi i zgjatur ndaj ndotjes së grimcave, favorizon rritjen e dëmtuesve ose sëmundjeve.
· Ozoni në nivelin e tokës i prodhuar nga djegia e kashtës ndikon në metabolizmin e bimës dhe depërton dhe shkatërron gjethet e saj, duke shkaktuar dëme të rënda tek bimët dhe kulturat bujqësore në të ardhmen.
Përfitimet e mos-djegies së hamulloreve dhe lënia e tyre në toka:
· Mbajtja e hamulloreve në tokë mund të ndihmojë në menaxhimin e sëmundjeve të ndryshme.
· Mbetjet e bimëve mund të jenë një mjet shumë efektiv në parandalimin e erozionit të tokës. Gjatë ngjarjeve të shiut të dendur, toka e ekspozuar ka shumë më shumë gjasa të gërryhet sesa toka që mbrohet nga mbetjet e të korrave. Kashta thith ndikimin e shiut dhe lejon që uji të depërtojë në tokë në vend që thjesht të rrjedhë, duke mbajtur me vete dheun e vlefshëm.
· Erozioni i erës, gjithashtu reduktohet shumë duke lënë mbetje të bimëve në fushë. Qëndrimi i kashtës ndihmon në ngadalësimin e shpejtësisë së erës në nivelin e tokës, duke mbrojtur sipërfaqen e tokës nga fryrja dhe bllokimi i dheut që fryn.
· Lënia e hamulloreve në fushë gjithashtu kthen në tokë lëndët ushqyese të vlefshme për rritjen e të korrave. Këto lëndë ushqyese përfshijnë karbonin, azotin, fosforin, kaliumin, squfurin, kalciumin dhe magnezin. Kur hamulloret digjen, rreth 90% e këtyre lëndëve ushqyese humbasin (Heard et. al., 2001). Si rezultat, toka kërkon sasi shtesë të plehrave për të qenë produktive, gjë që është kosto shtesë për prodhuesit.
· Së fundi, duke përfshirë ato në tokë, ju po e ktheni lëndën organike përsëri në tokë. Lënda organike lidh grimcat e tokës, duke përmirësuar strukturën e tokës. Tokat e strukturuara mirë kullojnë më shpejt dhe krijojnë shtretër më të mirë. Më e rëndësishmja, struktura e mirë e tokës përmirëson aftësinë e tokës për të dhënë ujë dhe lëndë ushqyese në të mbjellat.
Alternativë për djegien e kashtës
Në vend të djegies, hamulloret mund të përdoren në mënyra të ndryshme si ushqim për bagëtinë, pleh organik kompost, çati në zonat rurale, energji nga biomasa, kultivimi i kërpudhave, materialet e paketimit, karburanti, letra, bioetanoli dhe prodhimi industrial, etj.



