Sot, më 01 korrik 2025, u organizua një ditë fushore e dedikuar kultivimit të boronicës në një nga plantacionet më të reja në fshatin Mramor, Prishtinë. Ky plantacion përfshin një sipërfaqe e cila është ngritur në vazo, me synimin që të shërbejë si një model i avancuar për kultivimin e boronicës në të ardhmen.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, z. Faton Peci, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së fermerëve në ngritjen e pemëtoreve të reja dhe në vazhdimin e përkrahjes institucionale për ta. Ai shtoi se, gjatë viteve të fundit, sipërfaqet me boronica në Kosovë janë dyfishuar, duke dëshmuar potencialin e lartë ekonomik të kësaj kulture.
Gjatë kësaj dite fushore, drejtori ekzekutiv i Shoqatës “Mjedra e Kosovës” theksoi rëndësinë e ndjekjes së praktikave të mira bujqësore në kultivimin e pemëve të imëta, me fokus të veçantë te boronica. Ai nënvizoi nevojën për kujdes të shtuar në kontrollimin e EC së ujit për ujitje, përdorimit të plehrave të duhura, si dhe menaxhimit të saktë të kulturës për të siguruar rendimente dhe cilësi të lartë.
Kjo ditë fushore shërbeu si një mundësi e vlefshme për ndarjen e përvojave ndërmjet fermerëve, identifikimin e gabimeve të së kaluarës dhe shkëmbimin e praktikave që do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.
Në aktivitet morën pjesë fermerë nga rajone të ndryshme të vendit, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, donatorë, organizata joqeveritare dhe institucione relevante, të cilët patën mundësinë të shohin nga afër një model modern të kultivimit të boronicës dhe të diskutojnë mbi zhvillimet më të fundit në këtë sektor.



