Nga data 24 deri më 27 Shkurt u zhvilluan me sukses trajnimet për dy grupe trajnerësh në kuadër të programit Trajnimi i Trajnerëve për “Përdorimin e Sigurt të Pesticideve”. Gjatë këtyre ditëve, 18 trajnerët e certifikuar zbatuan në praktikë aftësitë dhe njohuritë e fituara gjatë sesioneve të trajnimit të zhvilluara në Janar dhe Shkurt.
Njohuritë e fituara nga trajnerja znj. Manon Dohmen gjatë sesioneve të Janarit dhe Shkurtit kanë pasur një ndikim të madh në zhvillimin e aftësive praktike të trajnerëve. Gjatë këtyre seancave, ata kishin mundësinë të zbatojnë teorinë dhe teknikat e mësuara, përfshirë modelin SDF, duke implementuar me sukses sesionet e trajnimit dhe duke demonstruar përmirësime të dukshme në nivelin e performancës.
Falënderim të veçantë për trajneren për përkushtimin e saj maksimal gjatë këtyre ditëve. Znj. Dohmen e cila, punoi individualisht me secilin prej trajnerëve, duke ofruar mbështetje dhe këshilla të vlefshme për t’u siguruar që ata të ishin plotësisht të përgatitur për çdo aspekt të sesioneve të trajnimit. Puna e saj e palodhur ishte thelbësore për suksesin e këtij trajnimi.
Shpërndarja e certifikatave dëshmoi përkushtimin dhe punën e palodhur të të gjithë pjesëmarrësve, të cilët u treguan mjaft aktivë dhe të dedikuar. Kjo përbën një arritje të rëndësishme, pasi trajnerët tani janë më të aftë për të zhvilluar trajnime efektive për fermerët, studentët, agronomët dhe profesionistë të tjerë, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e njohurive mbi përdorimin e sigurt të pesticideve.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të trajnerëve dhe në zbatimin e praktikave të qëndrueshme në sektorin e bujqësisë.
Falënderime për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë pjesëmarrësve – së bashku mund të kontribuojmë në një bujqësi më të sigurt dhe më të qëndrueshme!