NË PRAG TË KONFERENCËS SË 8 TË MJEDRËS NË KOSOVË

Sezoni i mjedrës 2023 është ballafaquar me një pasiguri të konsiderueshme në treg, të shoqëruara nga ndikimi i ndryshimeve klimatike, veçanërisht në kultivimin e mjedrës. Situata aktuale shumë e vështirë, na detyron të vazhdojmë të jemi edhe më aktiv. Aftësitë tona konkurruese po vështirësohen sepse kostot, veçanërisht kostot e punës dhe mirëmbajtjes, po rriten. Konkurrenca e jashtme është në rritje, veçanërisht nga Ukraina dhe Afrika Veriore. E gjithë kjo kërkon punë të mëtejshme dhe një zë të fortë të industrisë. Nuk ka alternativë tjetër veçse të angazhohemi maksimalisht e assesi të dorëzohemi!

Tani kemi vendosur vendin tonë në hartën globale të kultivimit të mjedrës dhe duhet të përballemi  me sfidat momentale me të cilat jemi duke u ballafaquar gjatë rrugës. Viti 2023 ishte njëri ndër vitet më sfidues, me kushte klimatike jo të favorshme. Në pranverë, me reshjet te vazhdueshme të shiut e në verë me temperaturat ekstreme të larta, të cilat na afektuan në rendiment e cilësi, e këtyre problemeve klimatike ju shtuan edhe çmimet e ulëta në tregjet evropiane, kësaj radhe të shkaktuara kryesisht nga lufta në Ukrainë, të cilët deri dje, produktin e tyre e plasuan mbi 70% në tregjet ruse, ndërsa këtë vit, atë sasi e plasuan në Evropë me çmime të ulëta.  Kjo situatë ka zbehur motivimin e fermerëve të mjedrës, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjitha vendet që merren ku kultivim të mjedrës për industri.

Mjedra është një frut global, i prodhuar në të gjithë botën, në 6 kontinente. Është i disponueshëm për konsumatorët 12 muajt e vitit, i prodhuar në teknologji të ndryshme dhe në zona të ndryshme klimatike. Teknologjitë e reja dhe potenciali i tregjeve lehtësojnë transportin efikas të frutave në tregje shumë të largëta dhe zhvillimin e tregtisë ndërkontinentale. Për t’u angazhuar në këtë treg global në mënyrë efektive, është shumë me rëndësi që akterët e veçmas fermerët të jenë të informuar për zhvillimet në vende të tjera, të kuptojnë tendencat mbizotëruese të shitjeve dhe të parashikojnë perspektivat për të ardhmen.

Zhvillimi i pemishtes, ndërtimi i strategjisë, kultivimi me teknologji të reja, adaptimi në kushtet e reja klimatike, ndjekja e nevojave të tregut të mjedrës, kjo është ajo me të cilën lidhet “Konferenca e 8 mjedrës” që së shpejti do të organizohet në Kosovë. Kjo ngjarje na lejon të forcojmë pozicionin tonë si furnizues evropian i mjedrës.

Prandaj vëmendje të veçantë gjatë këtyre ditëve meriton Konferenca e mjedrave “FORMIMI I SË ARDHMES NË SEKTORIN E MJEDRËS” e teta me radhë që organizon Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” që është një pasqyrim specifik i aktiviteteve të të gjithë sektorit. Kjo është një arritje e rëndësishme, veçanërisht e fermerëve nga rajoni i Podujevës, Prishtinës, Reçanit dhe Shtërpcës. Që në fillimet e themelimit të Shoqatës, ne i kemi vënë theks të madh edukimit të fermerëve, si në teknologjitë e prodhimit dhe parimet e pemishteve funksionale, duke përfshirë rregullat që rregullojnë tregun. Të gjithë këto elemente janë përfshirë në programet e konferencave gjatë viteve të fundit. Në fillim, ne e bëmë atë me ndrojtje, joprofesionale, por gjithmonë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me nevojat e mjedisit. Nuk është natyra komerciale e këtij eventi që përcaktoi suksesin e tij. Nga një event modest lokal, “Konferenca e Mjedës”  është kthyer në eventin më të madh të këtij lloji në Ballkan, duke tërhequr pjesëmarrjen e më shumë se  400 pjesëmarrësve.

Zbatimi praktik i shumë kultivarëve, metodat e reja të kultivimit, vjeljes, përpunimit, zbatimi i standardeve të sigurisë ushqimore, përpunimi me kosto të ulët dhe shumë efekte të tjera pozitive janë kontributi i konferencës në zhvillimin e industrisë që ka bërë të jetë shumë atraktive për folës dhe fermerë edhe jashtë Kosovës.

Konferenca 8 e mjedrës do të mbahet më 7 dhjetor 2023 në Prishtinë dhe do të mbledhë të gjithë akterët e pemëve të imëta në mënyrë që të krijojnë kontakte, të ndajnë idetë dhe të diskutojnë çështjet e tyre teknike dhe tregtare. Është një mundësi e shkëlqyer për të fituar dhe thelluar njohuri për kultivimin e mjedrës, situatën e tregut, ndryshimet klimatike si dhe perspektivat për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të mjedrës.

Në konferencë do të marrin pjesë kultivues nga vendi, rajoni  por edhe nga vende të tjera, me shumë prezantime nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtar të fushës.

Sot të gjithë e dinë që Kosova prodhon mjedër cilësore. Le të mos e humbasim këtë reputacion! Sepse tani për tani, edhe pse me shumë sfida, ne jemi më të mirët në prodhimin e mjedrave me cilësi të lartë dhe ne aspirojmë ta ruajmë këtë status!

Së bashku do t’ja dalim!

Nga Dr. sc. Kujtim Lepaja – Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës” për Agro Portalin

Shiqo PDF