Ndikimi i breshërit në prodhimin dhe cilësinë e frutave të mollës

Breshëri është një fenomen i zakonshëm meteorologjik, i cili është vazhdimisht i pranishëm me frekuencë dhe ashpërsi të lartë. Paraqitja e breshërit zakonisht ndodh në “muajt e ngrohtë të vitit”, duke filluar nga muaji maj deri në gusht. Frekuenca më e madhe e breshërit ndodh gjatë muajit maj dhe qershor, por në një kuptim më të gjerë mund të ndodhë edhe më herët, si p.sh., fundi i prillit deri në fund të gushtit. Breshëri zakonisht shfaqet në orët e pasdites, diku rreth orës 13:00. deri në orën 20:00, me një kohëzgjatje prej 10 minutash në maksimum. Mirëpo, edhe për një kohë kaq të shkurtër, dëmet nga breshëri në mbarë botën janë më shumë se 1 miliardë euro në vit. Ngjashëm, dëmet në Kosovë tejkalojnë shumën prej 1 milion euro në vit. Paraqitja e breshërit në Kosovë ndryshon varësisht nga regjioni, dhe shfaqet zakonisht çdo 3 vite, mirëpo nganjëherë mund të paraqitet edhe 3 herë brenda muajit (si p.sh. rajoni i Gjilanit në qershor të vitit 2018). Sipërfaqet e prekura nga breshëri përfshijnë sipërfaqe në formë të shiritave të ngushtë. Dëmet janë të konsiderueshme, sidomos në vreshta, pemishte dhe disa kultura perimore frytore, të tilla si speci dhe domatja. Breshëri ndikon drejtpërdrejtë në kualitet të prodhimit dhe shkakton ulje (humbje) të rendimentit. Megjithatë, për shembull në pemishtet e mollës, breshëri shkakton më shumë dëmtime në cilësi, sesa në sasi të prodhimit.

Në rastin e mollës, breshëri zakonisht shfaqet nga fundi i prillit deri në fund të gushtit. Breshëri mund të dëmtojë frytet, gjethet dhe degët e mollës.

Në lidhje me këto dëme, një ekip i ekspertëve të Koorporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) në koordinimin me ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR-së) kanë analizuar humbjet e shkaktuara nga breshëri në pemishtet e mollës në Kosovë. Disa prej gjetjeve kryesore të tyre janë listuar më poshtë:

Gjetjet e lidhura me rrezikun e breshërit në pemishtet e mollës:

  1. Breshëri shkakton më shumë dëme në kualitetin e mollës sesa rendimentin (sasinë e prodhimit);
  2. Ndikimi i breshërit në disa raste llogaritet të jetë minimal, sidomos në qoftë se paraqitet nga mesi i muajit maj deri në fillim të qershorit. Në këtë periudhë, breshëri do të rrallojë frutat e mollës, kështu që fermerëve nuk do të ju duhet të ndërhyjnë kimikisht apo manualisht për të hequr të paktën 30% e frutave të tepërt;
  3. Varietetet e ndryshme të mollës reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj intensitetit dhe frekuencës së breshërit;
  4. Zakonisht breshëri shoqërohet me stuhi, kështu që breshëri sulmon vetëm njërën anë të drejtimit të rreshtit të mollës nëpër pemishtet e mollës;
  5. Madhësia e granulës së breshërit është shumë e rëndësishme, sepse sa më e madhe të jetë granula aq më të mëdha do të jenë edhe dëmet nga breshëri;
  6. Dendësia e frutave luan rol të rëndësishëm, për arsye se nëse prodhohen më shumë fruta, mbrojtja e frutave është më e lartë, pasiqë frutat mbulojnë njëri-tjetrin;
  7. Pozicioni i frutave është shumë i rëndësishëm për sasinë e dëmeve nga breshëri, pasiqë frutat që ndodhen në pjesët më të larta të pemëve janë më të ekspozuar ndaj breshërit sesa frutat që ndodhen në pjesën e poshtme të pemëve (trupave) të mollëve. Breshëri sulmon pozicionet më të larta të pemëve ashtuqë frutat që ndodhen në pjesët e poshtmë të pemës do të jenë të mbuluar nga frutat që ndodhen në pjesën e sipërme.

Si munden fermerët të zbusin rrezikun nga breshëri?

Ekzistojnë dy mënyra kryesore agronomike për mbrojtjen ose zvogëlimin e humbjeve të shkaktuara nga breshëri :

  1. Vendosja e rrjetës kundër breshërit – vendosja e rrjetës ka disa përparësi: mbron frutin e mollës kundrejt breshërit; mbron frutat nga skuqja diellore, sidomos disa lloje të tilla si Granny Smith. Kështu, rrjeta ndikon në përmirësimin e cilësisë së frutave, mbron frutet nga shpendët, kështu që sulmimi i frutave nga shpendët minimizohet. Si mangësi e kësaj mase konsiderohet çmimi i lartë që nevojitet për vendosjen e këtyre rrjetave, një çmim që varion prej 12,000 deri në 18,000 EUR në varësi të cilësisë së sistemit kundër breshërit.
  2. Aplikimi i preparateve kimike – Çdo frut i mollës i goditur nga breshëri shoqërohet nga kroma e mollës (Venturia inaequalis). Në kohën kur pemishtja e mollës është goditur nga breshëri, fermeri duhet të trajtojë menjëherë pemishten e tij me preparate me bazë Bakri (Cu).

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Prill, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI