Gjate javëve në vijim fermerët e pemëve mund të ballafaqohen me ngricat e vonshme pranverore, ngrica këto të cilat mund të paraqiten për një kohë të shkurtër (vetëm për disa orë), mirëpo dëmet mund te jenë shumë të mëdha tek kulturat e ndryshme bujqësore, me theks të veçantë tek kulturat pemëtare (faroret, bërthamoret, arroret dhe pemët e imta (boronica dhe dredhëza). Në këtë situatë, ne nuk duhet të rrimë duarkyq porse, duhet të ndërmarrim masa preventive dhe mbrojtëse, pasiqë sipas parashikimeve të motit, pritet që edhe në javët e ardhshme, në Kosovë të mund të ketë temperatura të ulta.
Duke i pasur parasysh rreziqet që mund të sjellin temperaturat e ulëta, më poshtë po paraqesim temperaturat minimale të cilat mund t’i durojnë organet e ndryshme tek kulturat e pemëve farore:
– Sythat e mugulluar (-3.9°C),
– Lulja (-2.2°C),
– Fruti i posaformuar (-1.1 °C).
Nëse kemi temperatura më të ulta sesa këto që janë dhënë më lartë, në cilëndo fenofazë të zhvillimit të kulturave farore, dëmet mund të jenë shumë të mëdha.
Masat mbrojtëse që mund të ndërmerren janë:
• duke i ujitur pemët – në formë të shiut me mikro spërkatëse (nevojiten 20,000 deri ne 25,000 litra ujë në orë për hektar),
• me anë të kaloriferëve me gas që lirojnë nxehtësi të madhe (kjo kryesisht gjen zbatim në vendet që e kanë të zhvilluar sektorin e pemtarisë,
• duke i tymosur me anë të djegies së ballave të kashtës – kjo është ndër metodat më të lehta dhe më ekonomike për tu aplikuar (deri në 10 balla për ha, ballat duhet të lagen me ujë, në mënyrë që mos të bëhet djegia shumë e shpejtë, ato duhet të vendosen anash rreshtave të pemishteve tek pemët drufrutore dhe kulturat e tjera pemëtare.
Duhet të bëhen monitorime të vazhdueshme të pemishteve dhe nëse kemi rënie të temperaturave afër 0°C, duhet menjëherë të bëhen aplikimet që u cekën më lartë.