Më 5 dhe 6 qershor 2026 u mbajt Simpoziumi Ndërkombëtar “Sharri – Thesar i Bimëve Mjekësore”, i organizuar nga Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim Farmaceutik nën udhëheqjen e Prof. Dr. Zehadin Gashi, me pjesëmarrjen e profesorëve, studiuesve dhe ekspertëve nga Kosova dhe vendet e rajonit, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive shkencore në fushën e bimëve mjekësore.
Dita e parë e simpoziumit iu kushtua punës praktike në terren, ku pjesëmarrësit realizuan identifikimin e bimëve mjekësore në rajonin e Sharrit, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Fadil Millakut, duke kontribuar në dokumentimin dhe promovimin e kësaj pasurie të çmuar natyrore.
Në kuadër të simpoziumit, në ditën e dytë, u organizua Tryeza e Rrumbullakët “Sharri – Thesar i Bimëve Mjekësore”.
Temat kryesore të diskutimit përfshinë:
• Identifikimin e bimëve mjekësore dhe përgatitjen e herbariumit;
• Bimët endemike të Sharrit;
• Ndikimin e kushteve gjeografike dhe klimatike në cilësinë e bimëve mjekësore;
• Rolin e bimëve mjekësore në mjekësinë alternative;
• Ndikimin e “mjekëve popullorë” në perceptimin dhe besimin ndaj farmacistëve;
• Rëndësinë e metodave ekstraktive në përpunimin e bimëve mjekësore;
• Strategjitë për kultivimin organik dhe përdorimin e qëndrueshëm të bimëve mjekësore.
Ky simpozium dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shkencore, profesionistëve dhe ekspertëve të rajonit për ruajtjen, studimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bimëve mjekësore, si dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet traditës, kërkimit shkencor dhe aplikimit bashkëkohor farmaceutik.



