Më 4 qershor 2026, në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, u mbajt workshopi me temën “Building Sustainable Agricultural Training Systems: Current Practices, Partnerships, and Funding Opportunities”, në kuadër të projektit “Vocational Agricultural Training in Albania”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, universiteteve, organizatave ndërkombëtare, sektorit privat dhe ekspertë të fushës së bujqësisë dhe arsimit profesional, me qëllim diskutimin e sfidave dhe mundësive për zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të aftësimit profesional në sektorin bujqësor.
Punimet u hapën me fjalë përshëndetëse nga përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, Ambasadës Franceze dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa u prezantuan edhe objektivat dhe aktivitetet e projektit nga koordinatori i projektit, Christophe Mur nga CIHEAM Montpellier.
Në pjesën e parë të punëtorisë, prezantuesit diskutuan nevojat për aftësi dhe boshllëqet ekzistuese në tregun e punës në bujqësi, duke theksuar rëndësinë e përafrimit të programeve të arsimit dhe trajnimit profesional me kërkesat e sektorit. Objektivat e këtij projekti ishin përforcimi institucional, praktikat e qëndrueshme bujqësore, adresimi i ndryshimeve klimatike, dhe përputhshmëria me nevoja ekonomike.Vëmendje e veçantë iu kushtua integrimit të kompetencave digjitale, praktikave të gjelbra dhe aftësive menaxheriale në programet trajnuese.
Në pjesën e dytë u trajtuan mundësitë për financimin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të aftësimit profesional. Përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare ndanë përvojat e tyre në zhvillimin e kapaciteteve, partneriteteve publike-private dhe mekanizmave për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale të qendrave trajnuese në bujqësi.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ideve, duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor në Kosovë dhe rajon.



