U mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”

Prishtinë, 24 mars 2026 –

Sot, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”, e organizuar nga MBPZhR dhe AUV në bashkëpunim me Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).

Në këtë konferencë mori pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili gjatë fjalimit të tij theksoi se brenda dymbëdhjetë muajve do të reformohet sistemi i inspektimeve, duke kaluar nga kontrolle formale në kontrolle të bazuara në rrezik, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e barrës së panevojshme për bizneset që respektojnë rregullat.

“Deri në vitin 2027, do të ndërtojmë një sistem të plotë të gjurmueshmërisë digjitale, ku çdo produkt mund të ndiqet nga ferma deri në treg, duke rritur transparencën dhe besimin në zinxhirin ushqimor”, tha ministri Armend Muja.

Ndër të tjera, ai theksoi se siguria ushqimore nuk është vetëm një çështje teknike, por një kontratë mes shtetit dhe qytetarit – një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë. Duke nënvizuar se bujqësia mbetet një nga sektorët kyç të ekonomisë dhe një burim i rëndësishëm i jetesës për mijëra familje në Kosovë, ministri shtoi se, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 vlera e shtuar bruto në bujqësi ka arritur mbi 811.5 milionë euro, duke dëshmuar potencialin real të këtij sektori për zhvillim dhe rritje.

Ministri Muja potencoi se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit në ndërtimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve.

“Kemi siguruar financimin e plotë të fushatave të vaksinimit kundër tërbimit për vitet e fundit, kemi avancuar sistemet e kontrollit dhe gjurmueshmërisë ushqimore dhe kemi vendosur bazat për një qasje më moderne dhe më të integruar. Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: jemi ende në një fazë të përgatitjes së moderuar në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se përpara kemi shumë punë dhe një nevojë urgjente për përshpejtim të reformave”, tha ai.

Duke folur për sigurinë ushqimore moderne, ai theksoi se ajo kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, ministri Muja nënvizoi se do të fuqizohet qasja “One Health” dhe do të ndërtohen mekanizma të koordinuar për të adresuar rreziqe si rezistenca ndaj antibiotikëve dhe sëmundjet zoonotike.

Sa i përket standardeve të Bashkimit Evropian, ai tha se ato nuk duhet të shihen si barrë për fermerët, por si një mundësi reale për zhvillim dhe eksport.

Në këtë konferencë u prezantuan edhe zhvillimet dhe praktikat më të fundit në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve nga përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Nga EFSA, Patrick McMullan prezantoi misionin dhe vizionin e institucionit, si dhe mbështetjen për vendet në para-anëtarësim në integrimin në sistemin evropian të sigurisë ushqimore.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Arsim Ademi, foli për standardet e shëndetit të kafshëve në Kosovë dhe rrugën drejt harmonizimit me standardet e Bashkimit Evropian.

Profesori i mikrobiologjisë mjekësore, Lul Raka, trajtoi çështjen e rezistencës antimikrobike dhe rëndësinë e zbatimit të qasjes “One Health” përmes koordinimit ndërsektorial.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Fillojeta Rrustemaj-Millaku, prezantoi mbështetjen e BE-së në kuadër të Kapitullit 12, që lidhet me sigurinë ushqimore, veterinën dhe fitosanitarinë.

Ekspertja e sigurisë ushqimore, Zana Sahiti, trajtoi sfidat kryesore në harmonizimin e sistemit të sigurisë ushqimore të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.

Në fund të konferencës, ministri Muja theksoi se siguria ushqimore është siguri kombëtare, shëndet publik dhe zhvillim ekonomik, si dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të EFSA-s, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës.

Scroll to Top