Bordi Turk i Produkteve (TMO) ka njoftuar se për sezonin 2026/2027 do të rrisë çmimet shtetërore të blerjes së lajthive me lëvozhgë me rreth 28%. Sipas Türkiye Today, TMO do t’u paguajë prodhuesve 255 lira turke (rreth 4,79 euro) për kilogram për lajthinë e cilësisë Giresun dhe 250 lira turke (rreth 4,70 euro) për kilogram për cilësinë Levant, bazuar në një rendiment të bërthamës së shëndetshme prej 50%. Për çdo pikë përqindjeje mbi këtë prag, pagesa shtesë do të jetë 5,10 lira (rreth 0,096 euro) për Giresun dhe 5 lira (rreth 0,094 euro) për Levant.
Çmimet e TMO-së janë një pikë e rëndësishme referimi për tregun turk, ndërsa Turqia mbetet prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i lajthive në botë, me rreth 60% të prodhimit global dhe rreth dy të tretat e eksporteve botërore.
Sezonin e kaluar, TMO i rriti çmimet e blerjes me rreth 50 për qind, në 200 lira për kilogram (rreth 3,76 euro) për cilësinë Giresun dhe 195 lira për kilogram (rreth 3,66 euro) për cilësinë Levant. Rritja e madhe erdhi pasi ngrica më e fortë e dekadave të fundit dëmtoi rëndë plantacionet dhe e uli prodhimin e lajthive në Turqi pothuajse përgjysmë. Ndërsa, këtë vit pritet një rimëkëmbje e konsiderueshme e prodhimit.
Sipas vlerësimit të parë zyrtar, prodhimi i lajthive në Turqi pritet të rritet me 62,2 për qind, nga 441.000 tonë vitin e kaluar në 715.350 tonë në vitin 2026. Pritet që prodhimi të rikuperohet pas dëmeve të shkaktuara nga ngricat e vitit të kaluar.
Zhvillimet në Turqi janë të rëndësishme edhe për Maqedoninë e Veriut, e cila vitet e fundit ka filluar ta zhvillojë sektorin e lajthisë.
Vendimi i Bordit Turk të Produkteve (TMO) për sezonin 2026/2027 për të rritur çmimet e blerjes së lajthive me rreth 28 për qind është i rëndësishëm edhe për prodhuesit në Maqedoni, pasi pikërisht në tregun turk formohet një pjesë e madhe e kornizës ndërkombëtare të çmimeve për këtë kulturë frutore.
Ndërsa në Kosovë, sipas Raportit të Gjelbër 2025 të MBPZhR-së, në vitin 2024 lajthia kultivohej në 444 hektarë, nga 394 hektarë në vitin 2023 – një rritje prej 12,7%.
Prodhimi u rrit nga 148 në 160 tonë, ose rreth 8,1%, ndërsa rendimenti ishte rreth 0,4 tonë për hektar. Çmimi mesatar i prodhuesit ishte 3,71 €/kg.
Maqedonia e Veriut tashmë ka filluar ta shfrytëzojë këtë mundësi përmes kontratave me kompani të mëdha, ndërsa Kosova ka një bazë prej 444 hektarësh që mund të zgjerohet më tej.
Për Kosovën, kjo mund të jetë një mundësi për të kaluar nga një prodhim kryesisht i orientuar drejt tregut vendor drejt një modeli më të organizuar, ku fermerët lidhen me grumbullues, përpunues dhe blerës të huaj.
❓ A mund ta rrisë Kosova sipërfaqen me lajthi?
Por pyetja më e madhe është:
A mund ta kthejë Kosova rritjen e sipërfaqes në një industri të organizuar të lajthisë, duke ndjekur shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe duke shfrytëzuar kërkesën për burime alternative të furnizimit në Evropë?



