Sot u mbajt tryeza e diskutimit me temën “Opsionet e politikave për forcimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes angazhimit të grave”, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe lokal, donatorëve, shoqërisë civile, shoqatave të biznesit dhe akademisë.
Aktiviteti, i organizuar nga Forumi Ekonomik i Grave dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, në bashkëpunim me partnerët, mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe sektorit të bujqësisë për të diskutuar mbi situatën aktuale të grave në bujqësi dhe politikat që mund të kontribuojnë në fuqizimin e tyre ekonomik.
Në hapje morën pjesë Znj. Saxhide Mustafa, Koordinatore në Forumin Ekonomik të Grave, Z. Adnan Ahmeti, Menaxher i Portfolios për Arsim në Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), dhe Znj. Astrid Wein, Drejtoreshë e Zyrës së Caritas Zvicran në Kosovë.
Gjatë aktivitetit u prezantua dokumenti “Opsionet e politikave për forcimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes angazhimit të grave”, i përgatitur nga Elirjeta Beka për Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Forumin Ekonomik të Grave.
Sipas dokumentit të prezentuar, bujqësia ka rëndësi të veçantë për ekonominë, jetën rurale dhe prodhimin e ushqimit në Kosovë, ndërsa një fuqi punëtore me përfaqësim më të balancuar gjinor mund të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin rural.
Megjithatë, gratë vazhdojnë të përballen me pengesa në pjesëmarrjen ekonomike në bujqësi. Dokumenti vë në pah se puna e grave në sektor shpesh mbetet joformale dhe e pakompensuar, veçanërisht në kuadër të fermave familjare.
Sipas të dhënave të cituara në dokument, 72% e punëtorëve bujqësorë familjarë pa pagesë në Kosovë janë gra, ndërsa vetëm 13% e grave rurale kryejnë punë familjare me pagesë, krahasuar me 7% të burrave ruralë. Gjithashtu, dokumenti thekson se një pjesë e konsiderueshme e grave rurale punojnë pa kontrata ose pa pagesë.
Kjo situatë lidhet edhe me vështirësitë në njohjen dhe kompensimin e kontributit të grave në ndërmarrjet familjare dhe në fermat bujqësore.
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua temës “Gratë në bujqësi: Nga puna informale drejt punësimit dinjitoz dhe fuqizimit ekonomik”.
Diskutimi u moderua nga Nicole Farnsworth, Drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, ndërsa në panel morën pjesë Jehona Rexha, Drejtoreshë e Departamentit për Aftësim Profesional nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, Zana Bucaliu, Drejtoreshë e Departamentit për Regjistrim dhe Shërbim të Tatimpaguesve, dhe Iliriana Gashi, Drejtore Ekzekutive e Women4Women Kosova.
Panelistët diskutuan për sfidat që lidhen me formalizimin e punës, qasjen në mundësi ekonomike dhe nevojën për krijimin e kushteve që gratë të kenë më shumë mundësi për punësim, zhvillim profesional dhe përfshirje në aktivitetet ekonomike.
Dokumenti i prezantuar në aktivitet thekson se politikat publike duhet të adresojnë pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen ekonomike të grave në bujqësi dhe zhvillimin rural.
Ndër çështjet e evidentuara përfshihen puna joformale, mungesa e kompensimit të mjaftueshëm për punën në fermat familjare, qasja në pronë dhe asete, financa, shërbime dhe tregje, si dhe qasja e kufizuar në informacion dhe mundësi të tjera ekonomike.
Në këtë kuadër, fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale shihet si një çështje që lidhet jo vetëm me barazinë gjinore, por edhe me zhvillimin e sektorit bujqësor dhe të ekonomisë rurale.
Aktiviteti përfundoi me një diskutim të hapur me pjesëmarrësit, ku u shkëmbyen pikëpamje dhe propozime mbi mënyrat se si politikat dhe institucionet mund të kontribuojnë në krijimin e kushteve më të favorshme për gratë që punojnë dhe veprojnë në bujqësi.
Aktiviteti u mbështet nga Caritas Zvicran dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), në kuadër të nismave për fuqizimin ekonomik dhe përfshirjen e grave në zhvillimin rural.



