Sot, më 29 shtator 2026, u zhvillua tryeza e diskutimit me temën “Veprimet për Ndryshimet Klimatike në Bujqësi – Zgjidhje të Përbashkëta për Kosovën”, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve, sektoqyrit privat, organizatave, ekspertë dhe akterë të tjerë të sektorit të bujqësisë.
Diskutimi u fokusua në gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e dala nga procesi i konsultimeve dhe diskutimeve të mëparshme, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet palëve dhe identifikimin e hapave konkretë për adresimin e ndryshimeve klimatike në bujqësi.
Tryeza u moderua nga znj. Viola Xhemajli – AgroDev Kosovo, ndërsa fjalët hyrëse u mbajtën nga z. Fatmir Selimi, Menaxher i Përgjithshëm i AgroDev Kosovo, dhe z. Veton Rruka, Menaxher i Projektit në Programin EREA të Caritasit.
Në vijim, z. Fatmir Selimi prezantoi gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet kryesore të dala nga diskutimet dhe konsultimet me palët e interesit, duke i hapur rrugë diskutimit të përbashkët mbi sfidat dhe mundësitë për veprim.
Pas një diskutimi mjaft konstruktiv dhe me kontribute të vlefshme nga pjesëmarrësit, aktiviteti vijoi me prezantimin e projekteve pilot, të cilat sollën përvoja dhe rezultate konkrete nga terreni, përmes temave:
“Efektiviteti i ftohjes me spërkatës në reduktimin e stresit termik te kultivimi në mjedër”
– Prezantuar nga Z. Kujtim Lepaja – Drejtor Ekzekutiv, Mjedra e Kosovës.
“Bimët Mbuluese: Përvoja dhe Rezultatet nga Parcela Demonstruse”
– Prezantuar nga Znj. Zana Lika – Zyrtare e projekteve, Organika.
Nga diskutimi i sotëm për veprimin ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi dolën këto konkluzione kryesore:
- Ndryshimet klimatike duhet të jenë prioritet strategjik në bujqësi.
- Nevojitet koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve dhe aktorëve relevantë.
- Duhet të përcaktohen qartë rolet dhe përgjegjësitë institucionale.
- Kapacitetet teknike për përshtatjen klimatike duhet të forcohen.
- Shërbimet këshilluese dhe digjitale duhet të kenë rol më të madh në promovimin e praktikave klimatike.
- Praktikat e suksesshme nga projektet pilot duhet të zgjerohen.
- Nevojitet financim më i qëndrueshëm për përshtatjen, inovacionin dhe kërkimin.
Në vijim të këtyre konkluzioneve, u identifikuan edhe hapat e ardhshëm:
- Caktimi i personave përgjegjës për ndryshimet klimatike në institucionet përkatëse.
- Krijimi i grupit punues të përhershëm për ndryshimet klimatike, të koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
- Hartimi i planit kombëtar të veprimit për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi.
- Integrimi i masave ndaj ndryshimeve klimatike në programet e mbështetjes dhe investimeve bujqësore.
- Forcimi i shërbimeve këshilluese dhe digjitale për fermerët.
- Rritja e financimit për projekte pilot, kërkim, inovacion dhe zgjerimin e praktikave të suksesshme.
Ky aktivitet u organizua nga AgroDev Kosovo, i mbështetur nga projekti EREA i cili implementohet nga Caritasi Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.



