Sot u hapen dyert e panairit AGROKOS & Agroturizëm 2026!

Sot dhe nesër, te Pallati i Rinisë në Prishtinë, mbahet edicioni jubilar i këtij panairi, i cili për 26 vite ka qenë platformë kyçe për zhvillimin e bujqësisë, agroindustrisë dhe agroturizmit në vendin tonë.

Gjatë këtyre dy ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me prodhues, agrobiznese, organizata dhe institucione që kontribuojnë në zhvillimin e industrive përkatëse.

Panairi shërben gjithashtu si një hapësirë e rëndësishme për krijimin e partneriteteve të reja, shkëmbimin e përvojave dhe prezantimin e inovacioneve që po transformojnë sektorin bujqësor. Përmes ekspozimit të produkteve, teknologjive dhe shërbimeve të ndryshme, ai kontribuon në promovimin e prodhimit vendor dhe fuqizimin e konkurrueshmërisë së bizneseve në treg.

Në panair morrën pjesë kompani si: Bioalta, me gamën e saj të çajrave natyralë dhe produkteve të bazuara në bimë mjekësore, Gambini me konceptin e saj unik që kombinon kafenë, biskotat dhe produktet tjera ushqyese, Farmisa me produktet dhe aktivitetin e saj në fushën e ushqimit për kafshë duke sjellë standarde moderne prodhimi dhe teknologji bashkëkohore, Agro Pharma me produktet dhe zgjidhjet e saj të fokusuara në bujqësi, të cilat janë mbështetje për zhvillimin e sektorit agro, dhe 99 Lule me produktet e saj nutrikozmetike dhe suplementet për kujdes personal, mirëqenie dhe përkujdesje të lëkurës e shumë kompani të tjera.

Në kuadër të këtij aktiviteti, AgroDev Kosovo prezantoi platformën digjitale AgroB2B, një mekanizëm inovativ që synon të lidhë kompanitë agro-ushqimore të Kosovës me tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

AgroB2B është krijuar për të rritur dukshmërinë e prodhuesve vendorë, për të lehtësuar lidhjet direkte tregtare dhe për të promovuar produktet agro-ushqimore të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

Kjo platformë u mbështet në kuadër të projektit Caritas Switzerland in Kosovo EREA, i cili implementohet nga Caritas Switzerland in Kosovo dhe mbështetet nga Austrian Development Agency.

Ky aktivitet mbledh në një vend fermerë, përpunues, sipërmarrës, investitorë dhe profesionistë të fushës, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në të njëjtën kohë, ai promovon rëndësinë e bujqësisë dhe turizmit si sektorë me potencial të madh për rritjen dhe prosperitetin e Kosovës.

Scroll to Top