Sezoni i korrje-shirjeve është një nga periudhat më të rëndësishme të vitit në bujqësi. Pas muajsh pune, përkushtimi dhe përkujdesjeje në ara, fermerët hyjnë në fazën vendimtare – korrjen e prodhimit. Kjo është koha kur vlerësohet suksesi i një sezoni të tërë dhe përcaktohet cilësia e rendimentit.
Gruri mbetet një ndër kulturat më të rëndësishme bujqësore në Kosovë, i lidhur ngushtë me sigurimin e ushqimit dhe traditën shumëvjeçare të bujqësisë vendore. Sipërfaqet e mbjella me grurë zënë një përqindje të konsiderueshme të tokës së punueshme, ndërsa mijëra fermerë në mbarë vendin angazhohen çdo vit për të siguruar prodhimin e kësaj kulture bazë.
Korrje-shirjet e drithërave kanë nisur tashmë në Kosovë, duke shënuar fillimin e një prej periudhave më të rëndësishme të vitit për sektorin e bujqësisë.
Sipas raportimit të Front Online, profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, vlerëson se pritjet për prodhimin e grurit këtë vit janë optimiste. Ai thekson se cilësia e grurit është më e mirë krahasuar me vitin e kaluar, falë kushteve të favorshme klimatike. Po sipas raportimit të kësaj mediaje, analizat e para të mostrave të marra në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës tregojnë se pesha hektolitare dhe cilësia e grurit përmbushin standardet e kërkuara nga industria e bluarjes.
Front Online raportoi gjithashtu se, sipas Rusinovcit, megjithëse rendimenti pritet të jetë më i mirë, sasia e përgjithshme e grurit që do të prodhohet në Kosovë mbetet e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e vendit. Ai e cilëson grurin si një kulturë strategjike dhe bën thirrje për mbështetje më të madhe institucionale, përmes politikave dhe masave që nxisin rritjen e prodhimit dhe forcojnë sigurinë ushqimore.
Një sezon i suksesshëm është rezultat i planifikimit të mirë, përdorimit të praktikave të duhura bujqësore dhe punës së palodhur të fermerëve, të cilët vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e sigurisë ushqimore dhe zhvillimit të sektorit bujqësor.
Në këtë sezon të rëndësishëm të korrje-shirjeve, urojmë që mundi dhe përkushtimi i çdo fermeri të shpërblehen me rendimente të mbara, prodhim cilësor dhe një sezon të suksesshëm. Urojmë mot të favorshëm, punë të mbarë në ara dhe një korrje sa më të begatë për të gjithë bujqit e Kosovës. Falë punës së tyre të palodhur, në tryezat tona mbërrin buka dhe produktet që ushqejnë familjet tona çdo ditë.



