Në këto ditë vere, kur fushat e grurit kanë marrë ngjyrën e artë dhe kombajnat janë gati të hyjnë në ara, fermerët presin të korrin frytin e një pune që ka zgjatur me muaj. Pas shumë përpjekjesh, investimesh dhe kujdesi të vazhdueshëm gjatë gjithë sezonit, periudha e korrjes përfaqëson kulmin e mundit të tyre dhe shpresën për një prodhim të suksesshëm.
Megjithatë, temperaturat e larta dhe pakujdesia njerëzore mbeten ndër shkaqet kryesore që çdo vit shkaktojnë djegien e sipërfaqeve bujqësore. Një zjarr i vogël, i ndezur për pastrim të mbeturinave apo për djegien e barit të thatë, mund të përhapet me shpejtësi për shkak të erës dhe vapës së madhe, duke përfshirë në pak minuta hektarë të tërë me grurë të gatshëm për korrje.
Për fermerët, humbja e të korrave nuk është thjesht humbje e një kulture bujqësore. Ajo nënkupton humbjen e investimeve, të ardhurave dhe të mundit të një viti të tërë. Shpeshherë, pas një zjarri, humbet jo vetëm prodhimi, por edhe motivimi për të vazhduar punën në kushte gjithnjë e më sfiduese. Për shoqërinë, kjo do të thotë më pak prodhim vendor, më shumë varësi nga importi dhe një goditje për sigurinë ushqimore.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që gjatë sezonit të korrjes të tregojmë kujdes të shtuar. Duhet të shmanget ndezja e zjarreve pranë sipërfaqeve bujqësore, të mos hidhen bishta cigaresh në natyrë dhe të raportohen menjëherë çdo vatër zjarri që mund të rrezikojë arat. Edhe një veprim i vogël i pakujdesshëm mund të shkaktojë dëme të mëdha për fermerët dhe komunitetin.
Prandaj, mbrojtja e arave nuk është vetëm detyrë e fermerëve, por përgjegjësi e secilit prej nesh. Kujdesi ynë sot mund të shpëtojë bukën e nesërme dhe të ruajë mundin e atyre që punojnë tokën çdo ditë.
Sepse rruga e bukës fillon në arë, dhe çdo kallinj i ruajtur është një kontribut për familjet tona, për ekonominë vendore dhe për të ardhmen e bujqësisë sonë.



