Punëtoria për mundësitë e kombinimit të paneleve fotovoltaike në kulturat bujqësore në Kosovë

Sot në Prishtinë u mbajt workshopi mbi bujqësinë fotovoltaike, organizuar nga Shoqatat Nacionale “Organika” dhe “Mjedra e Kosovës”, me mbështetjen e GIZ-it gjerman përmes projektit rajonal SEDRA II. Qëllimi i ngjarjes ishte të nxisë diskutimin mbi mundësitë që ofron bujqësia fotovoltaike për sektorin bujqësor të Kosovës, veçanërisht për kultivuesit e pemëve të imëta.

Në fokus të workshopit ishte kombinimi i prodhimit bujqësor me energjinë e gjelbër, si një mundësi për rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe mjedisore të fermave. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me modelet e suksesshme të aplikimit të sistemeve fotovoltaike në bujqësi dhe të diskutojnë potencialin për realizimin e pilot projekteve të para në Kosovë.

Ky aktivitet pasoi një vizitë studimore në Holandë, të organizuar nga “Mjedra e Kosovës” dhe “Organika” në fillim të shtatorit, ku përfaqësuesit e sektorit patën rastin të vizitojnë disa prej pemishteve më të mëdha fotovoltaike në Evropë, të specializuara në kultivimin e pemëve të imëta.

Në këtë workshop prezantuan:

  • Thomas Frankle, nga kompania gjermane AgriPV Solutions,
  • Faton Nagavci, nga Shoqata Organika,
  • Kujtim Lepaja, nga Shoqata Mjedra e Kosovës.

Gjatë diskutimeve u theksuan përfitimet që sjell bujqësia fotovoltaike – si ulja e kostove të energjisë, mbrojtja e kulturave nga kushtet ekstreme klimatike dhe diversifikimi i të ardhurave – por edhe sfidat që lidhen me investimet fillestare dhe aspektet teknike të zbatimit.

Ky workshop përbën një hap të rëndësishëm drejt promovimit të modeleve të qëndrueshme dhe inovative për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, duke hapur rrugën për bashkëpunime të reja ndërmjet sektorit bujqësor dhe atij të energjisë së ripërtëritshme.

Scroll to Top