Java që lamë pas shënoi një hap të rëndësishëm për gratë nga zonat rurale të komunave Istog, Mitrovicë e Jugut dhe Skenderaj, ku gjithsej 89 gra përfituan pajisje bujqësore me qëllim të rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe forcimit të aktiviteteve të tyre ekonomike.
Kjo mbështetje synon t’i ndihmojë gratë rurale që të zhvillojnë më tej aktivitetet e tyre në sektorin e bujqësisë, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave familjare dhe në fuqizimin e rolit të tyre në ekonominë lokale.
Realizimi i kësaj nisme u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë të projektit të FAO dhe UN Women me komunat e Istogut, Mitrovicës së Jugut dhe Skenderajt, të cilat përmes partneritetit dhe angazhimit të vazhdueshëm po kontribuojnë në mbështetjen e grave në zonat rurale dhe në promovimin e barazisë gjinore në nivel lokal.
Mbështetja është ofruar në kuadër të projektit për fuqizimin e grave rurale në Kosovë, i cili zbatohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) dhe UN Women, me mbështetjen e Austrian Development Agency dhe International Partnerships Austria. Projekti synon të krijojë mundësi më të qëndrueshme për përfshirjen ekonomike të grave në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve rurale.



