Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), fermat po përballen njëkohësisht me ndikimet në rritje të ndryshimeve klimatike dhe me presionin ekonomik nga kostot e larta të prodhimit. Për këtë arsye, përshtatja e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike (Climate-Resilient Agriculture – CRA) nuk duhet parë vetëm si një strategji mjedisore, por si një qasje ekonomike që rrit qëndrueshmërinë e fermave duke ulur varësinë nga inputet e jashtme dhe duke forcuar menaxhimin e tokës dhe ujit.
Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në bujqësinë evropiane. Evropa është goditur nga valë të forta të të nxehtit dhe thatësira në vitet 2003, 2007, 2018, 2019, 2022, 2023 dhe 2024, ndërsa gjatë dekadës së fundit humbjet e të korrave nga ngjarjet ekstreme klimatike kanë qenë deri në 30% më të larta se sa pritej sipas tendencave (EEA, 2023). Aktualisht, thatësira (54%), reshjet intensive (21%), ngricat (16%) dhe breshëri (9%) përbëjnë rreth 80% të humbjeve bujqësore në Bashkimin Evropian.
Sipas vlerësimeve të cituara nga EEA, deri në vitin 2050 ndryshimet klimatike mund të ulin rendimentin e misrit dhe grurit në Evropën Jugore deri në 49%. Po ashtu, mbi 60% e tokave evropiane konsiderohen të degraduara ose jo në gjendje të mirë, ndërsa kostoja ekonomike e degradimit të tokës vlerësohet ndërmjet 40.9 dhe 72.7 miliardë euro në vit, pa përfshirë humbjen e biodiversitetit, përmbytjet, thatësirat dhe ndikimet shëndetësore.
Raporti parashikon se Evropa do të vazhdojë të ngrohet më shpejt se mesatarja globale, duke arritur një rritje temperature prej 2–3°C deri në vitin 2050. Nëse nuk ndërmerren masa të forta klimatike, humbjet ekonomike nga thatësira në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar mund të rriten nga rreth 9 miliardë euro në vit sot ndërsa në mbi 65 miliardë euro deri në fund të shekullit. Bujqësia përbën mbi 50% të humbjeve totale ekonomike nga thatësira në Evropë, duke e bërë atë sektorin më të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike.
Raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), tregon se praktika si ulja e punimit të tokës mund të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, duke ulur përdorimin e karburantit me rreth 50%, kostot e prodhimit me afërsisht 40% dhe nevojën për fuqi punëtore me 25–30%, nëse krahasojmë me sistemet konvencionale. Shumë raste studimore tregojnë gjithashtu se masa si mbulesa e tokës, rotacioni i kulturave dhe ruajtja e elementeve të peizazhit ndihmojnë në uljen e kostove, përmirësimin e rezistencës ndaj kushteve ekstreme dhe stabilizimin e të ardhurave të fermave.
Prioritetet e politikave duhet të vijojnë drejtpërdrejt nga sinjalet ekonomike:
- Financat dhe incentiva – nënkuptojnë mbështetjen e investimeve fillestare dhe ulja e rrezikut të tranzicionit.
- Veprimi në nivel ferme – do të thotë reduktimin e varësisë nga inputet dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme të diversifikimit.
- Qeverisja – duhet të forcojë menaxhimin e rrezikut përmes planifikimit të ujit, thatësirave dhe përmbytjeve.
Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike nuk është më një zgjedhje, por tani më është një domosdoshmëri. Me vendime të mira dhe investime të qëndrueshme, bujqësia mund të mbetet produktive, fitimprurëse dhe e qëndrueshme edhe për brezat e ardhshëm.



