Paralajmërim për ngrica pranverore në Kosovë, rekomandime për fermerët

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë njoftimin e parashikimit të motit për periudhën nga sot deri më 5 prill. Sipas IHMK-së, edhe gjatë ditës së sotme priten reshje lokale shiu, si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të lagësht dhe jostabile mbi rajon. Instituti thekson se fundjava do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm dhe reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore dhe në lartësi më të mëdha mbidetare pritet që reshjet të jenë në formë bore, për shkak të temperaturave më të ulëta.

Instituti ka bërë paralajmërim agrometeorologjik: “Nga data 31 mars deri më 4–5 prill pritet rënie e temperaturave minimale në vlera negative gjatë orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për ngrica pranverore. Këto kushte paraqesin rrezik për sektorin e pemëtarisë, veçanërisht për kulturat në fazën e lulëzimit”, ka thënë IHMK.

Sipas të dhënave nga IHMK, gjatë javëve në vijim, fermerët në Kosovë pritet të përballen me rrezikun e ngricave pranverore. Edhe pse këto ngrica mund të zgjasin vetëm disa orë, dëmet që shkaktojnë mund të jenë të konsiderueshme, veçanërisht në kulturat pemëtare si faroret, bërthamoret, arroret dhe pemët e imta (boronica dhe dredhëza). Duke u bazuar në parashikimet meteorologjike, temperaturat e ulëta mund të përsëriten, prandaj është thelbësore ndërmarrja e masave parandaluese dhe mbrojtëse në kohë.

Rekomandime për kultivuesit në fushë të hapur

  • Ujitja në orët e hershme të mëngjesit ndihmon në ruajtjen e temperaturës në zonën e rrënjëve.
  • Shmangni përdorimin e plehrave azotike gjatë kësaj periudhe, pasi stimulojnë rritjen e ndjeshme ndaj ngricave.

Rekomandime për kultivuesit në serra

  • Vendosni një shtresë të dytë najloni brenda serës ose përdorni gjeotekstil për izolim shtesë.
  • Përdorni mjete të thjeshta për ngrohje për të stabilizuar temperaturën.
  • Kryeni ajrosje të lehtë në mëngjes për të shmangur lagështinë e tepërt.
  • Sigurohuni që mbulesa plastike të jetë e shtrirë dhe e mbyllur mirë për të parandaluar hyrjen e ajrit të ftohtë.

Rekomandime për pemët dhe vreshtat

  • Shmangni krasitjen e thellë gjatë kësaj periudhe për të mos stimuluar rritje të re.
  • Spërkatja e lehtë me ujë në orët para agimit mund të ndihmojë në mbrojtjen e luleve nga ngricat.

Ndjeshmëria e kulturave pemëtare ndaj temperaturave të ulëta

Duke marrë parasysh rrezikun nga temperaturat e ulëta, është e rëndësishme të njihen kufijtë kritikë të dëmtimit për kulturat farore:

  • Sythat e mugulluar: deri në -3.9°C
  • Lulet: deri në -2.2°C
  • Fruti i posaformuar: deri në -1.1°C

Temperaturat nën këto vlera mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në çdo fazë të zhvillimit.

Masa mbrojtëse për pemishtet

  • Ujitja me mikro-spërkatës (në formë shiu), me kapacitet rreth 20,000–25,000 litra ujë/orë/ha.
  • Përdorimi i ngrohësve (p.sh. me gaz) për rritjen e temperaturës në pemishte, ku është e mundur.
  • Tymosja përmes djegies së kontrolluar të ballave të kashtës (deri në 10 balla/ha), të lagura paraprakisht për djegie më të ngadaltë dhe efekt më të mirë mbrojtës.

Rekomandime

Monitorimi i vazhdueshëm i temperaturave është thelbësor. Në momentin që temperaturat afrohen pranë 0°C, fermerët duhet të reagojnë menjëherë duke zbatuar masat mbrojtëse për të minimizuar humbjet.

Scroll to Top