Në kuadër të projektit EREA, shoqata “Mjedra e Kosovës” organizoi sot një ligjëratë edukative në shkollën profesionale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, me qëllim të informimit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve për sektorin e pemëve të imta në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e mjedrës dhe mundësitë që ofron bujqësia për të rinjtë.
Ligjërata u mbajt nga Kujtim Lepaja, i cili prezantoi para nxënësve një pasqyrë të shkurtër mbi sektorin e pemëve të imta në Kosovë, duke u fokusuar veçanërisht në mjedrën, rëndësinë e saj për bujqësinë dhe ekonominë vendore, si dhe në potencialin që ky sektor ka për zhvillim të mëtejshëm.
Gjatë prezantimit, nxënësit patën mundësi të njihen më nga afër me sektorin e mjedrës dhe rëndësinë e tij në bujqësinë e Kosovës. Diskutimi synoi të afrojë të rinjtë me realitetin e prodhimit bujqësor dhe t’i informojë ata për mundësitë që ofron sektori i pemëve të imta.
Prezantimi u pasua nga një aktivitet interaktiv nga Lindita Ibishi ku nxënësit patën mundësi të testojnë njohuritë e tyre e të garojnë përmes pyetjeve të ndryshme që lidhen me bujqësinë, prodhimin bujqësor dhe pemët e imta. Aktiviteti krijoi një atmosferë dinamike dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të nxënësve.
Një nga qëllimet e këtij aktiviteti ishte që nxënësit të kuptojnë më mirë rëndësinë e bujqësisë dhe rolin që të rinjtë mund të kenë në zhvillimin e saj. Përmes njohjes me sektorë konkretë, si ai i mjedrës, të rinjtë mund të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi potencialin e bujqësisë, mundësitë për zhvillim profesional dhe rëndësinë e përfshirjes së gjeneratave të reja në këtë sektor.
Aktivitete të tilla edukative kontribuojnë në krijimin e një lidhjeje më të afërt ndërmjet të rinjve dhe sektorit bujqësor, duke nxitur interesimin për prodhimin vendor dhe duke promovuar njohuritë mbi potencialin e bujqësisë në Kosovë. Përmes kombinimit të prezantimeve informative dhe aktiviteteve interaktive, nxënësit përfshihen në mënyrë aktive dhe kanë mundësi të mësojnë përmes pjesëmarrjes.
Shoqata “Mjedra e Kosovës” falënderon drejtuesit e shkollës profesionale “Zenel Hajdini”, mësimdhënësit dhe nxënësit për mikpritjen dhe pjesëmarrjen aktive në këtë aktivitet edukativ.
Projekti EREA zbatohet nga Caritasi Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.



