Nisi rrugëtimi i “Tregut në Rrota” – një urë e re mes prodhuesve vendorë dhe qytetarëve

Me një ceremoni të veçantë të organizuar në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ka nisur zyrtarisht rrugëtimi i “Tregut në Rrota”, një iniciativë që synon t’i afrojë prodhimet vendore më pranë konsumatorëve dhe të krijojë mundësi të reja për promovimin e prodhuesve lokalë në të gjithë Kosovën.

“Tregu në Rrota” nuk është vetëm një treg lëvizës. Ai është një platformë që bashkon prodhuesit vendorë, bizneset, institucionet dhe qytetarët rreth një qëllimi të përbashkët – mbështetjen e ekonomisë lokale dhe promovimin e produkteve të Kosovës.

Që nga momenti i hapjes, atmosfera u karakterizua nga një pjesëmarrje e madhe e prodhuesve, përfaqësuesve institucionalë, partnerëve zhvillimorë, mediave dhe qytetarëve, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me konceptin e këtij projekti dhe me produktet autentike vendore.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Isme Osmani, shoqata PePeKo, e cila u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve dhe theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave që promovojnë prodhuesit vendorë.

 Hartim Gashi, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës PePeKo, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin e bizneseve vendore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre.

Në ceremoni mori pjesë edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve lokalë dhe krijimit të hapësirave ku qytetarët mund të kenë qasje më të lehtë në produkte cilësore vendore.

Përkrahjen për këtë iniciativë e shprehën edhe partnerët ndërkombëtarë dhe financiarë, si Sergiy Maslichenko, Shef i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, i cili foli për rëndësinë e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjithashtu, Lulzim Tahiri, Menaxher i Sektorit për Mbështetje të Biznesit në BPB, theksoi rolin e mbështetjes financiare dhe partneriteteve në krijimin e mundësive të reja për bizneset vendore.

Pas ceremonisë së hapjes, të ftuarit patën mundësinë të vizitonin kamionin e “Tregut në Rrota”, të njiheshin nga afër me prodhuesit vendorë dhe të degustonin një gamë të gjerë produktesh të përgatitura me përkushtim nga bizneset pjesëmarrëse.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin Ananas Impex, Bio 365 Kosova, Sanija Product, Shijet e Malësisë, Bletaria AgriFarm & Maja, Tradita Jonë, Agro Alba dhe Teuta Restelica, biznese që me punën dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë vendore dhe promovimin e produkteve autentike të Kosovës.

Nga produktet ushqimore tradicionale e deri te përpunimet moderne vendore, vizitorët patën mundësinë të shihnin cilësinë, inovacionin dhe punën që fshihet pas secilit produkt.

Ky koncept krijon një lidhje më të afërt ndërmjet prodhuesit dhe konsumatorit, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të njohin historinë pas çdo produkti dhe të mbështesin drejtpërdrejt bizneset vendore.

Pas suksesit të hapjes në Prishtinë, “Tregu në Rrota” nuk ndalet këtu.

Kamioni do të vazhdojë rrugëtimin e tij në qytete të ndryshme të Kosovës, duke sjellë prodhimet vendore më pranë qytetarëve dhe duke krijuar një treg të lëvizshëm që promovon ekonominë lokale.

Qytetet ku do të ndalet iniciativa janë:

📍22 korrik – Mitrovicë

📍24 korrik – Pejë

📍27 korrik – Gjakovë

📍29 korrik – Prizren

📍31 korrik – Ferizaj

📍1 gusht – Viti

Çdo ndalesë do të jetë një mundësi e re për të njohur prodhues të rinj, për të zbuluar produkte autentike dhe për të mbështetur bizneset që me punën e tyre kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

🚛🍎 Shihemi në qytetin tuaj!

Scroll to Top