Ndikimi i çmimeve të derivateve në sektorin e bujqësisë

Derivatet janë pjesë e rëndësishme e bujqësisë. Rritja e çmimeve të derivateve ndikon jo vetëm në shpenzimet direkte të fermerëve, por edhe në të gjithë zinxhirin e furnizimit bujqësor. Kostoja e derivateve reflektohet në transportin e inputeve bujqësore, përdorimin e makinerive, ujitjen, korrjen, transportin e produkteve dhe përpunimin e tyre. Për këtë arsye, ndryshimet në çmimin e derivateve mund të ndikojnë edhe në çmimin përfundimtar të produkteve bujqësore.

Kosova është vend që varet kryesisht nga importi i derivateve, prandaj është shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare dhe tensioneve globale.

Kjo varësi e bën sektorin bujqësor veçanërisht të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare të derivateve. Çdo rritje e çmimit të derivateve mund të transmetohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë te kostot e fermerëve, veçanërisht te fermat që kanë përdorim të lartë të mekanizimit dhe sistemeve të ujitjes me pompa.

Sipas vendimit të MINT-it, nafta (dizeli) me datë 01.09.2026 do të shitet me çmim maksimal prej 1.69 euro për litër, ndërsa çmimi maksimal i lejuar për benzinën është 1.54 euro për litër. Ndërkaq, gazi do të ketë çmim maksimal prej 0.63 euro për litër.

Sipas raportimeve të fundit, gjatë vitit 2026 çmimi i naftës në Kosovë arriti deri në 1.82 euro për litër, ndërsa në disa pika të shitjes shkoi edhe në 1.88 euro për litër. Kjo paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me periudhat e mëhershme, ku çmimet silleshin rreth 1.45–1.50 euro për litër.

Eksperti i ekonomisë bujqësore, Terry Ibendahl, theksoi se edhe pse plehrat artificiale, farërat dhe kimikatet mbeten ndër shpenzimet më të mëdha në bujqësi, ndikimi i derivateve ndihet menjëherë në çdo proces të prodhimit bujqësor. “Nafta ka një ndikim të menjëhershëm dhe fermerët nuk do të mund ta shmangin këtë situatë,” deklaroi ai.

Përveç ndikimit në prodhim, rritja e çmimit të derivateve mund të ndikojë edhe në konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore. Nëse fermerët nuk arrijnë t’i transferojnë kostot shtesë te çmimi i shitjes, rritja e shpenzimeve mund të zvogëlojë marzhin e fitimit. Nga ana tjetër, nëse kostot transferohen te konsumatori, ato mund të kontribuojnë në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

Për këtë arsye, menaxhimi efikas i konsumit të derivateve bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për fermerët. Përdorimi racional i makinerive, mirëmbajtja e tyre, planifikimi më i mirë i punëve bujqësore dhe investimi në teknologji më efikase mund të ndihmojnë në uljen e kostove dhe në rritjen e rezistencës së fermave ndaj luhatjeve të çmimeve të derivateve.

Scroll to Top