Më pak prodhim, më shumë pasiguri: Si po ndikon klima në ushqimin tonë?

Ndryshimet klimatike po shfaqen si një nga kërcënimet më serioze për prodhimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore në Evropë dhe më gjerë. Edhe pse mungesa fizike e ushqimit nuk përbën aktualisht një problem të madh, rritja e çmimeve dhe vështirësitë në përballimin e tyre po bëhen një sfidë gjithnjë e më e theksuar, e nxitur kryesisht nga inflacioni dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Deri në vitin 2100, numri i ditëve me valë të nxehti pritet të pesëfishohet në rajonet më të ftohta dhe të arrijë deri në tridhjetëfish në zonat më të ngrohta, ndërsa ashpërsia e thatësirave në Evropën Jugore mund të trefishohet. Si pasojë e këtyre fenomeneve ekstreme, humbjet e të korrave gjatë dekadës së fundit kanë qenë deri në 30% më të larta krahasuar me nivelet e parashikuara.

Rënia e rendimenteve bujqësore jo vetëm që shkakton humbje ekonomike për fermerët, por sjell edhe rritje dhe paqëndrueshmëri të çmimeve të ushqimit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore. Sipas Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), vendet e Bashkimit Evropian humbin mesatarisht rreth 6% të prodhimit vjetor të kulturave bujqësore dhe blegtorisë për shkak të ndryshimeve klimatike, që përkthehet në rreth 28.3 miliardë euro humbje ekonomike, me Evropën Juglindore ndër rajonet më të prekura. Deri në vitin 2050, këto humbje mund të arrijnë në 40 miliardë euro.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithashtu në cilësinë e tokës, disponueshmërinë e ujit dhe përhapjen e dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve. Temperaturat më të larta dhe reshjet e parregullta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë planifikimin e aktiviteteve bujqësore, duke rritur kostot e prodhimit dhe pasiguritë për fermerët.

Në Kosovë, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2024 ishte 420,229 hektarë, duke shënuar një rënie prej 459 hektarësh krahasuar me vitin paraprak. Kjo rënie mund të lidhet me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat përmes thatësirave të shpeshta, temperaturave të larta dhe degradimit të tokës po ndikojnë negativisht në produktivitetin dhe shfrytëzimin e tokës bujqësore.

Njëkohësisht, kërkesa për ujë në bujqësi po rritet. Sasia totale e ujit të përdorur për ujitje në Kosovë arriti në rreth 103.4 milionë m³ në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 u rrit në 108.2 milionë m³, ose 4.6% më shumë. Kjo tendencë reflekton ndikimin e temperaturave të larta, periudhave më të gjata të thatësirës dhe mungesës së reshjeve, duke e bërë menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore një domosdoshmëri.

Përveç ndikimit në prodhim, ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në strukturën e kulturave bujqësore. Shumë fermerë po detyrohen të ndryshojnë periudhat e mbjelljes dhe korrjes, të investojnë në sisteme moderne të ujitjes dhe të orientohen drejt varieteteve më rezistente ndaj temperaturave të larta dhe mungesës së ujit.

Pa masa të përshtatjes dhe investime në teknologji, infrastruktura ujitëse dhe praktika të qëndrueshme bujqësore, rrezikohet jo vetëm prodhimi vendas, por edhe stabiliteti afatgjatë i furnizimit me ushqim dhe zhvillimi ekonomik i sektorit bujqësor.

Scroll to Top