Komuna e Mamushës organizoi me sukses edicionin e 17-të të Festivalit të Domates, një nga ngjarjet më të rëndësishme që i kushtohet bujqësisë dhe prodhimit vendor në Kosovë. Festivali mblodhi fermerë, prodhues, përfaqësues institucionesh, biznese dhe qytetarë të shumtë, duke promovuar rëndësinë e sektorit të perimtarisë dhe kontributin e fermerëve të Mamushës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në këtë edicion morën pjesë Presidentja në Detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, të cilët vlerësuan punën dhe përkushtimin e fermerëve, si dhe rolin e bujqësisë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Duke folur në hapje, Haxhiu deklaroi se bujqësia është një nga gurët themeltarë më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës, duke shtuar se çdo hektar tokë e kultivuar dhe çdo produkt që arrin te konsumatori kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke theksuar se komuna është e njohur për produktet e saj bujqësore me cilësi të lartë falë punës së përkushtuar të fermerëve të Mamushës, familjeve të tyre, grave dhe të rinjve, Haxhiu shprehu shpresën e saj që festivali do të vazhdojë të ndërtojë lidhje të forta midis prodhuesve, bizneseve dhe qytetarëve.
Gjatë viteve të fundit, Komuna e Mamushës ka dëshmuar një angazhim të vazhdueshëm për mbështetjen e sektorit bujqësor. Nën udhëheqjen e kryetarit Abdulhadi Krasniç, fermerët janë përkrahur me mekanizim bujqësor, duke filluar nga frezat dhe kultivatorët, e deri te traktorët dhe pajisje të tjera që kanë ndikuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e kushteve të punës në fermë.
Festivali i Domates nuk është vetëm një aktivitet festiv, por edhe një mundësi për të promovuar cilësinë e domates së Mamushës, për të forcuar lidhjet mes prodhuesve dhe konsumatorëve, si dhe për të evidentuar potencialin që kjo komunë ka në sektorin e bujqësisë. Domatja e Mamushës tashmë është shndërruar në një simbol të punës, përkushtimit dhe cilësisë, duke fituar besimin e konsumatorëve brenda dhe jashtë Kosovës.
Edicioni i 17-të u karakterizua nga një atmosferë festive, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, bashkatdhetarëve dhe mysafirëve nga vende të ndryshme, duke e kthyer këtë festival në një festë të vërtetë të bujqësisë dhe traditës së Mamushës.



