Mbahet Dita Fushore për prezantimin e projektit “Zgjidhje kundër vapës në ferma, për lopë më të shëndetshme dhe prodhim më të lartë” – 10.03.2026

Më 10.03.2026 u organizua Dita Fushore për prezantimin dhe demonstrimin e projektit “Zgjidhje kundër Vapës në Ferma”. Gjatë kësaj dite u demonstrua sistemi i freskimit në shtallë, i cili ul stresin e lopëve nga temperaturat e larta, ul stresin e tyre nga nxehtësia dhe ofron potencial për rritje të prodhimit. Sistemi është projektuar si një zgjidhje praktike dhe e lehtë për t’u implementuar në kushtet e fermave në Kosovë, pa pasur nevojë për rindërtim të infrastrukturës ekzistuese.

Gjatë prezantimit u shpjegua funksionimi i sistemit i cili aktivizohet automatikisht kur temperatura tejkalon pragun kritik, duke kombinuar ventilim dhe spërkatje në formë mjegulle për të ulur temperaturën në stallë. Sistemi mund të monitorohet dhe kontrollohet lehtësisht edhe përmes telefonave smart, duke e bërë menaxhimin e tij praktik dhe të thjeshtë.

Në fund, të pranishmit patën mundësinë të diskutojnë praktikat më të mira dhe të shohin nga afër rezultatet e sistemit. Në këtë aktivitet morën pjesë blegtorë, agronomë, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësues të KEP Trust si dhe partnerë nga organizata vendore.

Ky projekt u realizua nga agronomët Alkend Tahirsylaj dhe Driton Sylejmani, me mbështetje financiare nga Fondacioni AgroDev, në kuadër të Thirrjes për Ide Inovative në Bujqësi ndaj Ndryshimeve Klimatike, mbështetur nga KEP Trust. Projekti përfaqëson një zgjidhje inovative, lehtësisht e implementueshme edhe në fermat e tjera.

Shprehim falënderimet tona të veçanta për Alkend Tahirsylaj dhe Driton Sylejmani për punën e palodhshme dhe për ndërtimin e sistemit nga fillimi deri tek implementimi, si dhe për fermerin që na mirëpriti në fermën e tij për demonstrimin e sistemit. Po ashtu, falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për kohën, interesimin dhe diskutimet e vlefshme.

Scroll to Top