Prishtinë, 24 shtator 2025 – Fondacioni AgroDev ka lansuar sot Platformën AGRO B2B, një hapësirë digjitale të dedikuar për lidhjen e bizneseve dhe fuqizimin e sektorit bujqësor në Kosovë dhe rajon.
Platforma është konceptuar si një urë lidhëse për agrobizneset kosovare, duke ofruar mundësi për prezantimin e produkteve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin drejt tregjeve ndërkombëtare. Përmes saj, prodhuesit lokalë mund të afrohen më shumë me blerësit, si në nivel vendor ashtu edhe global, duke hapur rrugë të reja për zhvillim dhe tregti.
“AGRO B2B do t’i japë produkteve vendore më shumë dukshmëri dhe qasje në tregje ku kërkesa për produkte të sigurta, të gjurmueshme dhe cilësore po rritet çdo ditë”, u theksua gjatë prezantimit të platformës.
Fjalët hyrëse
Ngjarja u hap me adresimet e:
- 🎙️ z. Naim Krasniqi, Menaxher i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev
- 🎙️ znj. Astrid Wein, Drejtore e Caritas-it Zviceran në Kosovë
- 🎙️ z. Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
- 🎙️ z. Zef Dedaj, u.d. Drejtor Ekzekutiv i KIESA-s
Folësit përgëzuan nismën dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për ta bërë platformën funksionale, dinamike dhe të dobishme për komunitetin e agrobizneseve.
Prezantimin e detajuar të qëllimeve, funksionaliteteve dhe mundësive që sjell AGRO B2B e mbajti znj. Viola Xhemajli nga Fondacioni AgroDev.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave partnere, shoqatave kombëtare, agrobizneseve, fermerëve liderë, përfaqësues të bankave dhe institucioneve mikrofinanciare, si dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Ky lansim u realizua nga Fondacioni AgroDev Kosovo me mbështetje nga Programi #EREA, i implementuar nga Caritas Switzerland in Kosovo dhe i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).
🔗 Eksploroni platformën në agrodevb2b.com
🤝 Falënderim i veçantë për të gjithë partnerët dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobizneseve në Kosovë.



