AgroDev organizoi sot eventin me temën “Implementimi i standardit GLOBALG.A.P. – Pse është i rëndësishëm për fermerët”, me qëllim të diskutimit të rëndësisë së zbatimit të standardeve ndërkombëtare në bujqësi, rritjes së cilësisë së produkteve bujqësore dhe përmirësimit të qasjes së fermerëve në tregje.
Përmes këtij aktiviteti, AgroDev, promovoi praktikat e mira bujqësore dhe theksoi rolin e standardit GLOBALG.A.P. në zhvillimin e një bujqësie më të qëndrueshme, më të sigurt dhe më konkurruese.
Një nga rezultatet e rëndësishme të punës së AgroDev është certifikimi i 102 fermerëve në Mamushë, përmes pikës grumbulluese Euro Tac, si dhe i 50 fermerëve në Xërxë të Rahovecit, përmes pikës grumbulluese AgroCelina. Në total, 152 fermerë kanë përfituar nga procesi i certifikimit, duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara për prodhimin bujqësor.
Ngjarja ka përfshirë dy panele diskutimi, ku përfaqësues të institucioneve lokale, ekspertë të bujqësisë dhe përfaqësues të kompanive do të ndajnë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi zbatimin e standardit GLOBALG.A.P.
Paneli i parë: Implementimi i GLOBALG.A.P. në Mamushë dhe Rahovec u moderua nga z. Fatmir Selimi, menaxher i përgjithshëm i AgroDev Kosovë. Në panel morrën pjesë:
- z. Abdulhadi Krasniç, kryetar i Komunës së Mamushës;
- z. Remzi Rrahmani, fermer i mjedrës si dhe
- z. Bekim Ermeni, menaxher i cilësisë në pikën grumbulluese AgroCelina.
Paneli i dytë: Kërkesat dhe arritjet e standardit GLOBALG.A.P. u moderua nga znj. Viola Xhemajli. Në këtë panel morrën pjesë:
- z. Reshat Ajvazaj, CEO i kompanisë “G.A.P Plus”;
- z. Ben Dida, CEO i kompanisë “HybridAgro”;
- si dhe znj. Bleta Hajdini, menaxhere e cilësisë në kompaninë “BerryKode”.
Panelistët trajtuan kërkesat për përmbushjen e standardit, sfidat e procesit të certifikimit dhe rëndësinë e tij për cilësinë, sigurinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore.
Përveç paneleve, aktiviteti do të ofrojë hapësirë për diskutim, shkëmbim të përvojave dhe rekomandime nga pjesëmarrësit, duke krijuar mundësi për identifikimin e sfidave dhe zgjidhjeve që mund të ndihmojnë fermerët në zbatimin e praktikave të mira bujqësore.
Implementimi i standardit GLOBALG.A.P. kontribuon në përmirësimin e sigurisë ushqimore, menaxhimin më të mirë të fermave dhe përdorimin e përgjegjshëm të inputeve bujqësore. Gjithashtu, ai ndihmon në rritjen e besimit të konsumatorëve dhe partnerëve tregtarë, si dhe në krijimin e mundësive më të mira për qasje në tregje.
Certifikimi i 152 fermerëve në Mamushë dhe Rahovec përbën një hap të rëndësishëm drejt një sektori bujqësor më konkurrues dhe më të përgatitur për kërkesat e tregut, duke dëshmuar se bashkëpunimi dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Aktiviteti i implementimit të standardit GLOBALG.A.P. u mbështet nga KEP Trust, EFSE Finance in Motion dhe Komuna e Mamushës, ndërsa u implementua nga Fondacioni AgroDev.



