Hapet Panairi i Gruas me pjesëmarrjen e rreth 50 bizneseve të udhëhequra nga gratë

Në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë u hap solemnisht Panairi i Gruas, i organizuar nga Shoqata e Grave Ndërmarrëse pranë Odës Ekonomike të Kosovës, i cili mblodhi rreth 50 organizata dhe biznese të udhëhequra nga gra ndërmarrëse.

Panairi krijoi një hapësirë për promovimin e produkteve dhe shërbimeve të zhvilluara nga gratë në biznes, duke sjellë në fokus kreativitetin, përkushtimin dhe potencialin e grave ndërmarrëse në Kosovë dhe rajon.

Ky aktivitet shërbeu gjithashtu si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë, me qëllim krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin dhe fuqizimin e bizneseve të udhëhequra nga gratë.

Mbështetja e grave ndërmarrëse vazhdon të jetë një nga prioritetet e politikave për zhvillimin ekonomik, përmes skemave të granteve, mekanizmave të financimit dhe iniciativave që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së grave në ndërmarrësi.

Pas aktiviteteve të mëparshme, përfshirë konferencën për gratë ndërmarrëse të mbajtur në muajin qershor me pjesëmarrjen e rreth 300 bizneseve, si dhe mbështetjes përmes skemave të financimit, institucionet kanë paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve të ngjashme gjatë muajve në vijim.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, në muajin gusht pritet të organizohet një tjetër panair për gratë ndërmarrëse, ndërsa gjatë vjeshtës do të mbështetet organizimi i Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse, e cila do të synojë shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve të udhëhequra nga gratë.

Panairi në sheshin “Nënë Tereza” do të jetë i hapur edhe ditën e nesërme, duke u ofruar qytetarëve mundësinë të vizitojnë stendat e grave ndërmarrëse dhe të mbështesin produktet vendore, përfshirë produkte bio dhe artizanale të krijuara me përkushtim dhe punë të vazhdueshme.

Scroll to Top