📅 Data: 27 tetor 2025
📍 Vendi: Hotel Prishtina, Pejton – Prishtinë
AgroDev Kosovo, në bashkëpunim me Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, organizoi sot Tryezën e Rrumbullakët me temë “Forcimi i Bashkëpunimit Akademi–Industri dhe Zhvillimi i Strategjisë së FBV-së 2025–2028”, në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar në maj të këtij viti.
Ky takim synoi të krijojë një hapësirë të strukturuar dialogu ndërmjet institucioneve akademike, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë, me qëllim të forcimit të lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe ekonomisë reale, si dhe përafrimit të programeve studimore me nevojat aktuale të tregut të punës.
Në fokus të diskutimit ishin edhe ndërtimi i mekanizmave të qëndrueshëm për bashkëpunim efektiv ndërmjet Fakultetit dhe industrisë bujqësore, ushqimore dhe veterinare, si dhe përcaktimi i fushave prioritare për kërkim shkencor dhe zhvillim praktik.
🔹 Fjalët hyrëse
Tryezën e hapi Prof. Dr. Arben Musliu, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, i cili theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërmjet akademisë dhe industrisë në zhvillimin e sektorit agro-ushqimor dhe në përgatitjen e kuadrove profesionale që i përgjigjen kërkesave të tregut.
Z. Naim Krasniqi, Menaxher i Përgjithshëm i AgroDev Kosovo, ndau rolin e AgroDev në lidhjen e trajnimeve praktike dhe njohurive të studentëve me kërkesat reale të tregut të punës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për krijimin e mundësive të reja të punësimit për të sapodiplomuarit në sektorin e agrobiznesit.
Ndërsa Z. Zenel Bunjaku, Udhëheqës i Bordit Industrial, vuri në pah rëndësinë e vazhdimësisë në bashkëpunimin praktik–akademik dhe ndau përvojat e organizatës IADK, e cila ka mundësuar angazhimin praktik të studentëve të Fakultetit të Bujqësisë në kompani dhe ferma partnere.
🔹 Prezantimi i Strategjisë së FBV-së 2025–2028
Strategjia e re e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë për periudhën 2025–2028 u prezantua nga Asistente Ph.D. Cand. Lindita Ibishi, e cila paraqiti prioritetet strategjike, objektivat kryesore dhe partneritetet e planifikuara me industrinë. Ajo theksoi se Strategjia synon forcimin e rolit të Fakultetit në zhvillimin ekonomik të vendit, nxitjen e inovacionit në bujqësi dhe avancimin e kërkimit të aplikuar në bashkëpunim me sektorin privat.
🔹 Diskutimi tematik dhe konkluzionet
Diskutimi tematik, i udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Alltane Kryeziu, Prodekane për Infrastrukturë, Financë dhe Projekte, dhe Z. Agran Halimi nga kompania Pestova, solli reflektime të vlefshme mbi përgatitjen e studentëve për tregun e punës, integrimin e praktikave profesionale dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit kërkimor me industrinë.
Me kontributin aktiv të të gjithë pjesëmarrësve, u zhvillua një diskutim i hapur që ofroi një pasqyrë të qartë të gjendjes aktuale dhe nxori në pah rekomandime të dobishme për hapa konkretë drejt zbatimit të tyre në të ardhmen.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm Akademi–Industri, që synon inovacion, zhvillim të qëndrueshëm dhe përgatitje më të mirë të profesionistëve të rinj për sektorin bujqësor dhe ushqimor të Kosovës.



