Fondacioni AgroDev mbështet fermerët e Rahovecit me pajisje për siguri dhe ruajtje të produkteve për mbrojtjen e bimëve

Në kuadër të aktivitetit 1.1.1 të Planit të Veprimit 2026, më 01.06.2026, Fondacioni AgroDev realizoi shpërndarjen e kasetave për ruajtjen e produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe pajisjeve për përdorimin e sigurt të tyre për fermerët e pikës grumbulluese AgroCelina në Rahovec.

Ky aktivitet u organizua me qëllim të rritjes së sigurisë dhe higjienës gjatë përdorimit dhe ruajtjes së pesticideve, duke kontribuar në zbatimin e praktikave më të sigurta dhe më të qëndrueshme në sektorin bujqësor.

Në aktivitet mori pjesë z. Fatmir Selimi, Menaxher i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev, si dhe Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Rahovecit, z. Behar Thaqi, të cilët theksuan rëndësinë e mbështetjes së fermerëve në përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe prodhimit cilësor.

Përmes kësaj iniciative, Fondacioni AgroDev mbështeti 50 fermerë të certifikuar në programin Global GAP me pajisje mbrojtëse për spërkatje dhe kaseta për ruajtjen e pesticideve. Kjo mbështetje synon të ndihmojë fermerët në mbrojtjen e shëndetit të tyre, rritjen e sigurisë në punë dhe përmirësimin e kushteve të ruajtjes së produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Fondacioni AgroDev mbetet i përkushtuar në promovimin e praktikave moderne dhe të qëndrueshme në bujqësi, duke kontribuar në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe forcimin e standardeve të prodhimit në Kosovë.

Scroll to Top