Fondacioni AgroDev mbështet 120 fermerë të certifikuar Global GAP në Mamushë me pajisje për ruajtje të sigurt të pesticideve dhe pajisje mbrojtëse gjatë punës

Në kuadër të aktivitetit 1.1.1 të Planit të Veprimit 2026, më 04.06.2026, Fondacioni AgroDev realizoi shpërndarjen e kasetave për ruajtjen e produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe pajisjeve për përdorimin e sigurt të tyre për fermerët e pikës grumbulluese Euro Taç në Mamushë.

Ky aktivitet u organizua me qëllim të rritjes së sigurisë dhe higjienës gjatë përdorimit dhe ruajtjes së pesticideve, duke kontribuar në zbatimin e praktikave më të sigurta dhe më të qëndrueshme në sektorin bujqësor.

Në aktivitet mori pjesë z. Fatmir Selimi, Menaxher i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev, si dhe kryetari i Komunës së Mamushës, z. Abdülhadi Krasniç , të cilët theksuan rëndësinë e mbështetjes së fermerëve në përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe prodhimit cilësor.

Përmes kësaj iniciative, Fondacioni AgroDev mbështeti 120 fermerë të certifikuar në programin Global GAP me pajisje mbrojtëse për spërkatje dhe kaseta për ruajtjen e pesticideve. Kjo mbështetje synon të ndihmojë fermerët në mbrojtjen e shëndetit të tyre, rritjen e sigurisë në punë dhe përmirësimin e kushteve të ruajtjes së produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Fondacioni AgroDev mbetet i përkushtuar në promovimin e praktikave moderne dhe të qëndrueshme në bujqësi, duke kontribuar në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe forcimin e standardeve të prodhimit në Kosovë.

Scroll to Top