Në kuadër të kampanjës “Ditët e Mjedrës”, të organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”, në qendrën grumbulluese “Kemi Fruits” në Teneshdoll të Prishtinës u zhvillua një aktivitet edukativ me pjesëmarrjen e fëmijëve nga kopshti “Ora Education”.
Gjatë vizitës, fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me kultivimin e mjedrës, procesin e prodhimit, si dhe rëndësinë e konsumit të produkteve të freskëta dhe vendore. Aktiviteti synoi të rrisë ndërgjegjësimin e brezave të rinj për bujqësinë, ushqimin e shëndetshëm dhe rolin e prodhuesve lokalë në zhvillimin e komunitetit.
Organizatorët theksuan rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në aktivitete të tilla edukative, të cilat kontribuojnë në krijimin e një lidhjeje më të afërt me natyrën, prodhimin bujqësor dhe promovimin e vlerave të bujqësisë vendore.
Kampanja “Ditët e Mjedrës” vazhdon të promovojë prodhuesit e mjedrës në Kosovë dhe të afrojë konsumatorët me fermat dhe produktet vendore, duke inkurajuar mbështetjen e prodhimit lokal.



