Dita Ndërkombëtare e Grave që Veprojnë në Zona Rurale, e themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet rezolutës 62/136 të 18 dhjetorit 2007, festohet çdo vit më 15 tetor për të njohur rolin dhe kontributet të grave rurale në bujqësi, në sigurinë ushqimore dhe në zhvillimin e qëndrueshëm.
Gratë që veprojnë në zona rurale janë shtyllë e rëndësishme e zhvillimit bujqësor dhe ekonomik. Nga kultivimi i tokës dhe kujdesi për blegtorinë, te përpunimi i produkteve bujqësore dhe ruajtja e traditave, ato kontribuojnë çdo ditë në prodhimin e ushqimit, krijimin e të ardhurave dhe qëndrueshmërinë e familjeve të tyre.
Përtej kontributit të tyre në prodhim, gratë që veprojnë në zona rurale kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit, menaxhimin e burimeve natyrore dhe përcjelljen e njohurive tradicionale te gjeneratat e reja. Përfshirja e tyre në praktika të qëndrueshme bujqësore dhe në vendimmarrje është thelbësore për zhvillimin e një sektori bujqësor më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, shumë gra që veprojnë në zona rurale vazhdojnë të përballen me sfida, përfshirë qasjen e kufizuar në tokë, financim, teknologji, shërbime këshillimore dhe tregje. Puna e tyre, shpesh e papaguar ose e panjohur sa duhet, dëshmon nevojën për mbështetje më të madhe institucionale, mundësi të barabarta dhe përfshirje më aktive në zhvillimin ekonomik.
Edhe në Kosovë, fuqizimi i grave që veprojnë në zona rurale është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale. Mbështetja për ndërmarrësinë e grave, qasja në financim, trajnimet profesionale dhe përmirësimi i mundësive për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre mund të kontribuojnë në rritjen e të ardhurave dhe forcimin e pozitës së tyre në zinxhirët e vlerës bujqësore.
Në këtë ditë, duhet të riafirmojmë rëndësinë e krijimit të kushteve në të cilat çdo grua që vepron në zona rurale ka mundësi të zhvillojë potencialin e saj, të përfitojë nga puna e saj dhe të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në vendimmarrje. Investimi në gratë që veprojnë në zona rurale nënkupton investim në familje më të qëndrueshme, ekonomi lokale më të forta dhe sisteme ushqimore më të sigurta.



