Shoqata ORGANIKA shënoi më 23 shtator 2026 Ditën Evropiane të Bujqësisë Organike, në një aktivitet të organizuar në Pyllin e Arinjve në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, donatorëve, prodhuesve dhe akterëve të tjerë të sektorit.
Aktiviteti u zhvillua nën temën “Zhvillimi i bujqësisë organike: Rrugëtimi i Kosovës drejt vitit 2030”, duke ofruar një hapësirë për të reflektuar mbi zhvillimet e deritanishme në sektorin organik në Kosovë dhe për të diskutuar prioritetet dhe mundësitë për zhvillimin e tij në vitet e ardhshme.
Programi nisi me fjalët hyrëse dhe përshëndetjet e përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave partnere:
- Z. Fatmir Krasniqi – Kryetar i Shoqatës ORGANIKA
- Z. Olivier Boudart – Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
- Z. Mustafë Kastrati – GIZ Kosovo
- Z. Adnan Ahmeti – Austrian Development Cooperation
- Z. Fatmir Selimi – Fondacioni AgroDev
Diskutimet vijuan me fokus në zhvillimin e bujqësisë organike në Kosovë, perspektivën evropiane dhe mundësitë për fuqizimin e mëtejshëm të sektorit.
z. Faton Nagavci prezantoi një pasqyrë të sektorit organik në Kosovë, duke trajtuar zhvillimet dhe sfidat aktuale, ndërsa z. Markus Arbenz solli perspektivën evropiane mbi trendet, mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet bujqësia organike në Evropë.
Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua edhe Planit Kombëtar të Veprimit për Bujqësinë Organike 2027–2030. Përmes prezantimit nga z. Isuf Cikaqi “Nga sot në 2030: Çfarë sjell Plani i Veprimit për Bujqësinë Organike?”, u diskutuan prioritetet dhe drejtimet e reja për zhvillimin e sektorit gjatë periudhës së ardhshme.
Të rinjtë – një brez i ri i bujqësisë organike
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte prezantimi dhe ndarja e çmimeve për kampionët e rinj të bujqësisë organike 2026. Përmes këtyre historive u sollën në vëmendje të rinj dhe sipërmarrës që po investojnë në prodhimin organik dhe po kontribuojnë në zhvillimin e sektorit në Kosovë.
“Muri i Vizionit” – nga diskutimi te vizioni për të ardhmen
Aktiviteti përfshiu gjithashtu hapësirën interaktive “Muri i Vizionit – Kosova Organike 2030”, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë idetë, pritjet dhe vizionin e tyre për të ardhmen e bujqësisë organike në Kosovë.
Në kuadër të aktivitetit u organizua edhe ekspozimi i produkteve organike, duke i dhënë mundësi pjesëmarrësve të njihen më nga afër me produktet dhe punën e prodhuesve të sektorit.
Dita Evropiane e Bujqësisë Organike 2026 shërbeu kështu jo vetëm si një moment për të shënuar rëndësinë e bujqësisë organike, por edhe si një hapësirë për të diskutuar se çfarë duhet të ndërtohet sot për ta bërë realitet vizionin e një sektori organik më të zhvilluar, konkurrues dhe të qëndrueshëm deri në vitin 2030.



