Në Kovragë të Komunës së Istogut u shënua sot Dita e Mollës 2026, aktivitet i cili mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, organizatave mbështetëse, prodhues të mollës dhe akterë të tjerë të sektorit të bujqësisë.
Aktiviteti u fokusua në rëndësinë e zhvillimit të sektorit të mollës, situatën aktuale të prodhimit, sfidat me të cilat përballen kultivuesit, si dhe në nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e rekomandimeve konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Programi zyrtar nisi me fjalët hyrëse nga
- z. Qazim Blakaj, Anëtar i Shoqatës “Pema”
- z. Enver Rugova , Kryesues i Kuvendit të Komunës së Istogut,
- z. Nexhdet Shala, Dekan i Fakulteti “Haxhi Zeka”
- z. Fatmir Selimi, Drejtor Ekzekutiv i AgroDev.
Një nga temat kryesore të aktivitetit ishte prezantimi “Dëmet në molla dhe rekomandimet për të ardhmen”, i cili trajtoi dëmet e shkaktuara në prodhim dhe sfidat e evidentuara gjatë sezonit. Prezantimi u realizua nga z. Artan Gegaj, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Istogut, dhe z. Nazmi Blakaj, prodhues i mollës.
Në kuadër të aktivitetit u zhvillua edhe një vizitë në plantacionin e mollës, ku pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me procesin e prodhimit dhe sfidat me të cilat përballen kultivuesit në terren. Gjatë vizitës, u prezantuan edhe dëmet e shkaktuara nga breshëri në frutat e mollës, duke mundësuar vëzhgimin e drejtpërdrejtë dhe krahasimin ndërmjet mollëve të dëmtuara dhe atyre të padëmtuara.
Dita e Mollës shërbeu gjithashtu si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe rrjetëzimin ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe organizatave mbështetëse, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe adresimin e çështjeve me rëndësi për sektorin.
Aktiviteti u përmbyll me një drekë të përbashkët dhe vazhdimin e diskutimeve ndërmjet pjesëmarrësve.
Dita e Mollës 2026 theksoi rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet fermerëve dhe institucioneve për adresimin e sfidave të prodhimit, përmirësimin e mbështetjes për kultivuesit dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të mollës në Kosovë.



