Teneshdoll, Prishtinë | 28 korrik 2026 – Shoqata “Mjedra e Kosovës” organizoi sot Ditën e Mjedrës 2026, një aktivitet që mblodhi fermerë, përfaqësues të institucioneve, organizata partnere dhe ekspertë të sektorit për të promovuar zhvillimin e kultivimit të mjedrës dhe rëndësinë e këtij nënsektori për bujqësinë e Kosovës.
Aktiviteti u hap nga Lindita Ibishi, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës “Mjedra e Kosovës”, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe partnerëve për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.
Në vazhdim, fjalët hyrëse u mbajtën nga:
- Kujtim Lepaja – Drejtor Ekzekutiv, Shoqata “Mjedra e Kosovës”;
- Bekim Cikaqi – Ushtrues Detyre i Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Këshillimore, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
- Veton Rruka – Menaxher i Projektit EREA, Caritas Switzerland në Kosovë;
- Suela Rrahmani – Fermere lider dhe përfaqësuese e qendrës grumbulluese Kemi Fruits.
Gjatë fjalimeve u theksua progresi që ka arritur sektori i mjedrës në Kosovë gjatë viteve të fundit, rëndësia e investimeve në teknologji moderne, forcimi i bashkëpunimit përgjatë zinxhirit të vlerës dhe roli i fermerëve në prodhimin e një kulture me potencial të lartë për eksport.
Në kuadër të ditës fushore, pjesëmarrësit vizituan plantacionin e mjedrës në Teneshdoll, ku u prezantua kultivimi modern i mjedrës në vazo, një teknologji inovative që synon të rrisë rendimentin, cilësinë e prodhimit dhe qëndrueshmërinë e fermave. Prezantimi u realizua nga Kujtim Lepaja, i cili ndau përvojat praktike dhe përfitimet e kësaj metode të kultivimit.
Kjo ditë vazhdoi me një aktivitet simbolik të vjeljes së mjedrave nga pjesëmarrësit, duke ofruar mundësi për të parë nga afër procesin e prodhimit dhe për të bashkëbiseduar me fermerët mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të sektorit.
Dita e Mjedrës 2026 shërbeu si një platformë për promovimin e praktikave të mira bujqësore, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë, duke riafirmuar potencialin e madh që ka Kosova për zhvillimin e sektorit të frutave të imëta dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.



