Dita e Aronisë Organike

Sot,më datë 27.08.2026 në Prizren u mbajt Dita e Aronisë Organike, një aktivitet i dedikuar promovimit të potencialit të aronisë dhe rëndësisë së saj për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë agro-ushqimore në Kosovë. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të sektorit, prodhues, ekspertë dhe të ftuar, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të vlerave të këtij produkti.

Aronia është një kulturë me potencial të rëndësishëm për bujqësinë dhe industrinë përpunuese. Përveç mundësisë për të diversifikuar prodhimin bujqësor, ajo ofron potencial për përpunim dhe krijimin e produkteve me vlerë të shtuar, duke krijuar mundësi të reja për prodhuesit dhe bizneset agro-ushqimore.

Aktiviteti nisi me mirëseardhjen dhe hyrjen nga Zana Lika, e cila moderoi aktivitetin, ndërsa më pas u prezantua videoja “ArtiFruit & Aronica – rrugëtimi dhe zhvillimi në industrinë e aronisë”, duke sjellë një pasqyrë të zhvillimit të kësaj industrie.

Në pjesën e fjalëve të rastit, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë Esat Berishën, pronar i kompanisë “ARONICA”, profesorin Vahid Avdiu, si dhe përfaqësuesit e shoqatave “Organika” dhe “Mjedra e Kosovës”, Faton Nagavci dhe Kujtim Lepaja.

Një pjesë e veçantë e aktivitetit ishte vizita në plantacionin e aronisë, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shohin nga afër procesin e vjeljes së aronisë me makinë vjelëse, si dhe të marrin pjesë në vjeljen e frutave në pemishte. Përmes aktiviteteve të tilla, synohet që aronia të mos shihet vetëm si një kulturë bujqësore, por edhe si një mundësi për zhvillim ekonomik, inovacion dhe krijim të produkteve të reja agro-ushqimore.

Aktiviteti u përmbyll me një sesion rrjetëzimi dhe koktej me aronia dhe produkte të aronisë, duke krijuar hapësirë për diskutime, shkëmbim përvojash dhe kontakte të reja ndërmjet pjesëmarrësve.

Dita e Aronisë Organike dëshmoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet prodhuesve, kompanive përpunuese, ekspertëve dhe organizatave të sektorit për të zhvilluar më tej potencialin e kësaj kulture dhe për ta afruar atë me tregun.

Scroll to Top