Çmimi i specit për ajvar në rajon: Sa po paguhet fermeri dhe ku qëndron Kosova?

Sipas Rrjetit të Shoqatave bujqësore (Nacionalna Zemjodelska Mreza) në Maqedoni, me afrimin e sezonit të vjeljes së specit të kuq, një nga pyetjet kryesore për fermerët është çmimi me të cilin do të blihet prodhimi direkt nga fusha. Ndërsa çmimet që shihen në tregjet e gjelbra dhe markete janë dukshëm më të larta, çmimi i blerjes nga fermeri përcaktohet nga përpunuesit dhe qendrat e grumbullimit dhe mund të ndryshojë ndjeshëm sipas cilësisë, klasës dhe sasisë.

Për specin e kuq të tipit Kurtovska Kapia (për ajvar), çmimet e raportuara në disa vende të rajonit para sezonit të vjeshtës paraqiten në këto nivele:

Bullgaria: deri në 1 €/kg për klasën e parë

Në Bullgari, speci Kurtovska Kapia për industrinë e konservimit blihet me rreth 0.70–1.00 euro për kilogram për klasën e parë. Speci i klasës industriale, i destinuar për bluarje apo për prodhimin e salcave, ka çmim më të ulët, rreth 0.40–0.50 euro për kilogram.

Serbia: 0.60–0.90 €/kg

Në Serbi, speci i kuq Kurtovska Kapia për përpunim industrial dhe treg me shumicë blihet mesatarisht nga 0.60 deri në 0.90 euro për kilogram, në varësi të klasës së produktit.

Për fermerët që kanë kontrata me fabrikat përpunuese dhe sigurojnë sasi më të mëdha, çmimi zakonisht përcaktohet para fillimit të sezonit.

Kroacia: 0.80–1.20 €/kg

Në rajonet prodhuese si Sllavonia dhe Podravina, çmimet e blerjes nga grumbulluesit lëvizin rreth 0.80–1.20 euro për kilogram.

Megjithatë, prodhimi vendor kroat nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën, ndaj një pjesë e konsiderueshme e nevojave të tregut sigurohet përmes importeve.

Sllovenia: deri në 1.50 €/kg

Në Slloveni, kultivimi në shkallë të gjerë i specit industrial të tipit Kurtovsa Kapia është i kufizuar. Për këtë arsye, blerja e specit për përpunim në sasi të mëdha nuk është e zhvilluar si në vendet e tjera të rajonit.

Kooperativat lokale blejnë sasi më të vogla nga fermerët me çmime që mund të arrijnë 1.20–1.50 euro për kilogram, ndërsa pjesa tjetër e nevojave mbulohet përmes importeve.

Mali i Zi: 0.90–1.30 €/kg

Në Mal të Zi, çmimi i blerjes së specit të kuq të freskët Kurtovska Kapia gjatë sezonit të vjeshtës raportohet në intervalin 0.90–1.30 euro për kilogram.

Por prodhimi vendor është i kufizuar, ndaj përpunuesit mbështeten në importet nga vendet fqinje, kryesisht nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Kosova: 0.50-0.80 €/kg

Në Kosovë, çmimi i blerjes së specit të kuq Kurtovska Kapia, direkt nga fermerët përmes pikave të grumbullimit, raportohet të lëvizë në intervalin 0.50–0.80 euro për kilogram, në varësi të cilësisë, klasifikimit, sasisë dhe kushteve të blerjes ndërsa për treg të freskët 0.90-1.20 euro për kilogram

Megjithatë, për fermerin pyetja mbetet e njëjtë: a e mbulon çmimi i blerjes koston reale të prodhimit?

Në fund, çështja nuk është vetëm sa kushton speci në treg, por sa i mbetet fermerit pasi e shet prodhimin.

Shënim: Të dhënat mbi çmimet e blerjes së specit të kuq në vendet e rajonit janë bazuar në informacionet e publikuara nga Nacionalna Zemjodelska Mreža. Për Kosovën, çmimet janë siguruar përmes kontaktimit me pikat e grumbullimit dhe fermerët kultivues të specit, dhe i referohen çmimit të blerjes së drejtpërdrejtë nga fermeri.

Scroll to Top