Data e publikimit: 27.05.2025
SPECIFIKIMET TEKNIKE
SFONDI
Fermerët e vegjël në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të cenueshëm ndaj ndikimeve gjithnjë në rritje të ndryshimeve klimatike. Sfidat kryesore me të cilat po përballen fermerët në këtë drejtim përfshijnë:
• temperaturat e larta (më shumë se 1 muaj me >30°C)
• ngricat e vonshme pranverore
• vërshimet
• breshëri në periudha të pa-parashikuara
• stresi nga nxehtësia – një sfidë në menaxhimin blegtoral
si dhe efekte të tjera ekstreme të motit që po ushtrojnë presion gjithnjë e më të madh mbi produktivitetin bujqësor. Këto sfida jo vetëm që rrezikojnë kulturat e mbjellura, por gjithashtu, vënë në rrezik qëndrueshmërinë afatgjate të bujqësisë në Kosovë. Efektet janë të theksuara veçanërisht tek fermerët e vegjël, të cilët shpeshherë nuk kanë resurset, njohuritë apo mjetet financiare për t’u përshtatur në mënyrë efektive, ndaj këtyre sfidave.
Praktikat e bujqësisë së mençur ndaj ndryshimeve klimatike (CSA) ofrojnë një mënyrë për të rritur qëndrueshmërinë ndaj tyre, duke ruajtur ose rritur produktivitetin. Megjithatë, adaptimi i CSA në Kosovë mbetet i kufizuar. Shumë fermerë nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për mënyrën se si teknologjia dhe praktikat inovative mund të ndihmojnë në zbutjen e rreziqeve ndaj ndryshimeve klimatike. Ekziston gjithashtu mungesë e informacionit të qasshëm mbi metodat e Bujqësisë së Mençur ndaj Klimës (CSA), mungesë e zgjidhjeve të zhvilluara ose të përshtatura në kontekstin lokal, si dhe një boshllëk në udhëheqje që do të nxiste inovacionin dhe adoptimin në nivel vendor.
Për të ndihmuar në kapërcimin e këtyre pengesave, AgroDev ka lansuar një sfidë të hapur me qëllim promovimin e zgjidhjeve për Bujqësi të Mençur ndaj Klimës (CSA) dhe mbështetjen e pilot – projekteve të përzgjedhura, të cilat dëshmojnë potencial të lartë për ndikim konkret dhe të qëndrueshëm, si vazhdim i drejtpërdrejtë i kësaj thirrjeje.
IDEA MUND TË JETË:
- Një aplikacion
- Një produkt
- Një platformë
- Një aplikacion & produkt
- Një teknologji e re
- Një kampanjë vetëdijësuese
KRITERET E VLERËSIMIT DUKE PËRFSHIRË PIKËT NË BAZË TË IDEVE
Të gjitha aplikimet do të kalojnë në një proces vlerësimi, i cili do të bëhet nga një komision i përbërë nga anëtarë të pavarur dhe stafi i Fondacionit AgroDev.
KRITERET E VLERËSIMIT DO TË PËRFSHIJNË DISA FAKTORË KYÇ:
- Inovacioni (10 pikë): Origjinaliteti dhe kreativiteti i zgjidhjes së propozuar. Duke qenë se tashmë ekzistojnë shumë aplikacione dhe faqe interneti të tipit “marketplace”, zgjidhjet e tilla nuk do të jenë të pranueshme pasi nuk janë unike.
- Konteksti lokal (10 pikë): Përshtatja e zgjidhjeve për ndryshimet klimatike në përputhje me sfidat specifike dhe kushtet lokale të zbatimit.
- Fizibiliteti (10 pikë): Implementimi në praktikë dhe mundësia e zbatimit të zgjidhjes.
- Ndikimi potencial (15 pikë): Efektet pozitive të parashikuara në zgjidhjet për ndryshimet klimatike, përfshirë zbutjen dhe përshtatjen.
- Përputhshmëria (10 pikë): Sa i adreson zgjidhja kategoritë specifike të sfidave të përshkruara në thirrjen për propozime.
- Rëndësia dhe zbatueshmëria për fermerët e vegjël (15 pikë): Duke pasur parasysh se AgroDev synon fermerët me më pak se 5 ha sipërfaqe të punueshme, zgjidhja duhet të jetë e rëndësishme dhe e zbatueshme për ta.
- Qëndrueshmëria (10 pikë): A mund të ruhet dhe përshtatet zgjidhja për një periudhë afatgjate?
- Përvetësimi dhe përdorimi efektiv për audiencën e synuar (20 pikë): Shumë zgjidhje sfidash nuk arrijnë të krijojnë ndikim për shkak se përdorimi është i pamjaftueshëm ose mungon. Përdorimi nga fermerët dhe akterët e tjerë do të jetë një kriter kyç vlerësimi.
PËRFITIMET PËR PJESËMARRËSIT
Pjesëmarrësit në këtë thirrje do të përfitojnë nga pjesëmarrja e tyre në mënyra të ndryshme:
• Mbështetje financiare: Tre zgjidhjet më të mira do të shpërblehen me çmime në para, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të çuar më tej zhvillimin e projekteve. Fituesi i vendit të parë (medalja e artë) do të marrë 15,000 €, vendi i dytë (medalja e argjendtë) 10,000 €, dhe vendi i tretë (medalja e bronztë) 5,000 €. Këto fonde do të shërbejnë si bazë për avancimin e mëtejshëm të zgjidhjes suaj dhe për tërheqjen e investimeve të tjera potenciale.
• Njohja dhe vizibiliteti: Fituesit do të marrin njohje për zgjidhjet e tyre inovative, duke rritur dukshmërinë/vizibilitetin e tyre brenda komunitetit bujqësor dhe potencialisht duke tërhequr mundësi të tjera për bashkëpunim dhe investim.
KUSH MUND TË APLIKOJË PËR SFIDËN PËR BUJQËSI TË MENÇUR NDAJ NDRYSHIMEVE KLIMATIKE
Aplikantët duhet të plotësojnë NJË nga kriteret e mëposhtme:
• Kanë të zhvilluar një koncept të idesë së tyre ose një MVP (produkt minimal i zbatueshëm);
• Të kenë tashmë një produkt në treg;
• Të jenë në gjendje të lansojnë produktin e tyre të propozuar, brenda 6 muajve të ardhshëm.
Aplikantët për sfidën CSA mund të përfshijnë:
- Fermerë, përfshirë fermerët e rinj
- Agronomët dhe studentët (të paktën në vitin e fundit të studimeve BSc.)
- Agrobiznese
- Institucione arsimore të lidhura me sektorin privat
- Furnizues të pajisjeve bujqësore
- Ata që kanë një produkt ose shërbim që përfshin teknologji në ndonjë formë, jo vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit (IT)
Aplikantët nga sektorët e bujqësisë dhe teknologjisë, përfshirë, por jo vetëm, agro-teknologjinë dhe teknologjitë e bujqësisë së mençur për klimën, inkurajohen të aplikojnë. Prioritet do t’i jepet zgjidhjeve që kanë një komponent të fortë agronomik në këtë thirrje.
PROCESI I APLIKIMIT
Aplikuesit duhet të shprehin qartë problemin që synojnë të adresojnë dhe të paraqesin një përshkrim të detajuar të zgjidhjes së tyre të propozuar.
Pjesëmarrësit ftohen të dorëzojnë aplikimet e tyre ONLINE (përmes linkut: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdrREXpEaDWDtj50vBMff6K-2GtlZG_BdvUsOQS77DbgHl0-A/viewform brenda 45 ditëve nga data e hapjes së thirrjes, e cila është 12 korrik 2025.
Ju lutemi bashkëlidhni idetë tuaja në format PowerPoint (PPT), PDF ose video të shkurtër, të cilat do të prezantohen para komisionit vlerësues. Pjesëmarrësit duhet të shprehin qartë problematikën që duan të adresojnë dhe të paraqesin një përshkrim të detajuar të zgjidhjes inovative për Bujqësinë e Mençur ndaj ndryshimeve klimatike (CSA), duke siguruar që ajo të jetë praktike dhe e zbatueshme.
Në fazat e mëvonshme të procesit të vlerësimit, aplikuesve mund t’u kërkohet të përfshijnë një plan zbatimi, buxhetin dhe dokumente mbështetëse (opsionale), për të forcuar propozimet e tyre.
DATA TË RËNDËSISHME:
- Afati i fundit për aplikim: 12 korrik 2025
- Procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes: 26 korrik 2025
- Njoftimi i aplikuesve të suksesshëm dhe të pasuksesshëm: 02 gusht 2025
- Nënshkrimi i kontratave me fituesit: 09 gusht 2025
Për çdo pyetje apo sqarim, ju lutemi na kontaktoni në:
📧 Email: naim.krasniqi@agrodev-ks.com & viola.xhemajli@agrodev-ks.com
📞 Telefoni: +38344233709 & +38348273628