Name: SABRI GORDA
Location: Prizren
Ekzistojnë disa metoda për ruajtjen dhe konservimin e turshive. Me poshtë po i përmendim disa prej metodave më të zakonshme që zbatohen në Kosovë:
- Ruajtja e turshive përmes procesit të fermentimit ku në shumicën e rasteve përdoren preparate kimike (tharmet) te cilat nxisin procesin e fermentimit dhe pas kryerjes së këtij procesi turshitë e fermentuara preferohet të ruhen në ambiente me temperaturë të kontrolluar (frigorifer), kryesisht ruajtja e tyre bëhet me kavanoza qelqi ose ne kova plastike si dhe në fuqi (depozitor) deri në 200 litra ose në bazene të mëdha industriale.
- Ruajtja e turshive përmes procesit të pasterizimit me temperatura të larta në kavanoza të qelqit ku pas përgatitjes së shëllirës së nevojshme sipas recepturave specifike të prodhuesit kavanozat e mbushura i nënshtrohen procesit të pasterizimit në temperatura nga 78 deri ne 90 shkalle celsius në varësi nga lloji i turshive. Ky lloj i ruajtjes është me i përshtatshëm pasi që eliminon përdorimin e preparateve kimike për ruajtjen e jetëgjatësisë së turshive, dhe ruajtjen e tyre me pasterizim mund të zgjasë deri në 24 muaj pas pasterizimit.
- Ruajtja e turshive përmes ngrirjes së thellë të tyre, kjo metodë kryesisht përdoret për ruajtjen e gjysmë-produkteve turshi të cilat pastaj i nënshtrohen proceseve të mëtutjeshme të përpunimit dhe si e tillë është mjaft efektive mirëpo, ka kosto të lartë të ruajtjes dhe në shumicën e rasteve turshitë e ruajtura me ngrirje humbin vetitë e tyre fillestare.
- Format e tjera alternative të ruajtjes përmes metodave antike me përqendrime të larta të kripës ku si preparat për ruajtje është vetëm kripa në përqendrime të larta mirëpo së fundmi shumë studime shkencore nga mjekësia kanë treguar se ushqimet e kripësuara nuk janë të shëndetshme për organizmin e njeriut dhe si të tilla duhet të shmangen maksimalisht.