Cila është periudha më e mirë për të mbjellë kumbulla dhe mollë për produktivitet maksimal?

 

Name: Gazi Salihu
Location: Gjilan

Periudha më e përshtatshme për mbjelljen e kumbullave dhe mollëve në Kosovë

Mbjellja e kumbullave dhe mollëve në Kosovë duhet të bëhet në periudhën më optimale për të siguruar rritje të shëndetshme dhe një produktivitet të lartë. Koha më e mirë për mbjellje është zakonisht në vjeshtë (tetor-nëntor) ose në fillim të pranverës (shkurt-mars), në varësi të kushteve klimatike dhe kultivarit të fidanëve që përdoren për mbjellje. Mbjellja në vjeshtë ka përparësi, pasi pemët kanë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me tokën para fillimit të sezonit të rritjes në pranverë.

Për të arritur prodhimtari maksimale, është e rëndësishme të zgjidhni kultivarë të përshtatshëm për klimën e Kosovës dhe të merrni parasysh faktorë si qëndrueshmëria ndaj ngricave dimërore dhe ato te vonshme pranverore dhe toleranca ndaj sëmundjeve dhe demtuesve të kumbullës dhe mollës. Disa nga kultivarët më të njohur për mollën në Kosovë përfshijnë ‘Idared’, ‘Delishes i Artë’, ‘Delishes i Kuq’, ‘Granny Smith’, ‘Fuji’ dhe ‘Jonagold’, ndërsa për kumbullën kultivarët ‘Stanley’, ‘e Hershmja e Çaçakut’ dhe ‘Pozhega’ janë ndër më të kultivuarit.

Gjithashtu, përgatitja e tokës është një hap kyç për suksesin e mbjelljes. Toka duhet të jetë e pasur me lëndë ushqyese, e drenazhuar mirë dhe me një pH të përshtatshme për rritjen e ketyre kulturave dru-frutore (zakonisht ndërmjet 6.0 dhe 7.0). Përdorimi i plehrave stallës dhe plehrave të pasura me azot, fosfor dhe kalium ndihmon në zhvillimin e rrënjëve dhe rritjen e bimëve në fazat e hershme.

Pas mbjelljes, kujdesi i vazhdueshëm është thelbësor për të siguruar një rendiment të lartë. Kjo përfshin ujitjen e rregullt, veçanërisht gjatë periudhave të pikut (korrikut dhe gushtit), krasitjen për të formuar kurorën dhe për të nxitur prodhimin e frutave, si dhe mbrojtjen nga dëmtuesit dhe sëmundjet, si dhe barojave të padëshiruara.

Përfundimisht, suksesin e mbjelljes dhe produktivitetin maksimal e garanton kombinimi i zgjedhjes së duhur të kultivarëve, përgatitjes së mirë të tokës, kujdesit të vazhdueshëm dhe menaxhimit të duhur të sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Scroll to Top