Forumi i biznesit Kosovë-Itali 19.05.2026

Më 19 maj 2026, në Swiss Diamond Hotel, u mbajt forumi i parë i biznesit Kosovë-Itali , një ngjarje e organizuar nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe me pjesëmarrjen e institucioneve dhe kompanive nga Kosova dhe Italia. Aktiviteti u organizua nga Agjencia e Kosovës për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) në bashkëpunim me organizata italiane si AIC, AICO dhe ADM.

Forumi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Italisë në sektorin agro-ushqimor . Gjatë hapjes së forumit morën pjesë figura të rëndësishme institucionale, përfshirë Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ministren Mimoza Kusari-Lila, ministrin Armend Muja, ambasadoren e Kosovës në Itali Nita Shala dhe ambasadorin italian në Kosovë Maurizio Antonini.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe Drekë me demonstrim gatimi dhe degustime të udhëzuara”, ku u prezantuan produkte tradicionale italiane si vera, vaji i ullirit, makaronat artizanale dhe specialitete të ndryshme rajonale. Kjo krijoi një atmosferë të favorshme për rrjetëzim dhe bashkëpunim ndërmjet kompanive italiane dhe bizneseve kosovare.

Në kuadër të forumit u zhvilluan edhe diskutimet mbi mundësitë për tregti dhe investime agro-ushqimore , procedurat doganore, standardet e sigurisë ushqimore dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme tregtare. Përfaqësues nga KIESA, Dogana e Kosovës dhe organizatat italiane diskutuan mbi lehtësimin e eksporteve dhe krijimin e kanaleve të reja të distribuimit.

Gjithashtu, u zhvilluan takime B2B ndërmjet kompanive italiane dhe importuesve kosovarë, me fokus në identifikimin e mundësive për bashkëpunim tregtar, investime dhe partneritete të qëndrueshme në sektorin agro-ushqimor.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Fondacioni AgroDev Kosovo prezantoi platformën digjitale AgroB2B, e cila synon të shërbejë si një mekanizëm ndërlidhës ndërmjet kompanive kosovare dhe tregjeve ndërkombëtare, duke promovuar krijimin e lidhjeve afariste, rritjen e bashkëpunimit dhe zgjerimin e mundësive për eksport. AGROB2B është platforma digjitale B2B e krijuar për të rritur dukshmërinë e prodhuesve vendorë dhe për të mundësuar lidhje të drejtpërdrejta tregtare mes kompanive agro-ushqimore të Kosovës dhe blerësve vendorë e ndërkombëtarë. Aktualisht platforma përfshin  një gamë të gjerë produktesh të përpunuara të frutave dhe perimeve, duke ofruar një hapësirë funksionale për rrjetëzim, prezantim dhe bashkëpunim B2B.

Ky aktivitet u mbështet në kuadër të projektit EREA, i cili implementohet nga Caritas Switzerland in Kosovo në Kosovë dhe mbështetet nga Austrian Development Agency

Në forum morën pjesë shumë kompani italiane të sektorit agro-ushqimor, përfshirë prodhues të verës, mjaltit, makaronave, vajit të ullirit dhe produkteve tradicionale italiane.

Në përmbyllje të forumit, zëvendësministri Jeton Mehmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë dhe nevojën për zgjerimin e partneriteteve në sektorin agro-ushqimor. Aktiviteti konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së investimeve dhe promovimit të produkteve agro-ushqimore në tregjet ndërkombëtare.

Scroll to Top