U mbajt Konferenca e III e Qumështit në Kosovë: Fokus në biosiguri, ndryshime klimatike dhe zhvillim të qëndrueshëm

Konferenca e III e Qumështit në Kosovë u mbajt sot nën organizimin e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), me Fondacionin AgroDev si partner, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve publike, partnerë ndërkombëtarë, ekspertë, akademikë dhe fermerë nga e gjithë Kosova. Qëllimi i konferencës ishte adresimi i sfidave aktuale dhe diskutimi i perspektivave për zhvillimin afatgjatë të sektorit të qumështit.

Në fjalën e tij, Kryetari i SHPQK-së, Naser Bajraktari, theksoi se fermerët përbëjnë shtyllën kryesore të sektorit të qumështit dhe se bashkëpunimi i strukturuar ndërinstitucional është çelësi për arritjen e rezultateve konkrete në terren. Ai falënderoi donatorin strategjik We Effect, partnerin AgroDev, si dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sektorit, duke bërë të ditur se gjatë këtij viti 615 fermerë kanë përfituar drejtpërdrejt nga trajnimet dhe aktivitetet e organizuara nga Shoqata.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sektorit të blegtorisë. Ai njoftoi se përmes skemës së granteve, mbështetja për sektorin e blegtorisë arrin vlerën prej 22.5 milionë euro, ndërsa janë ndërmarrë masa të reja për rritjen e cilësisë së qumështit. Këto përfshijnë subvencionimin për herë të parë të viçave dhe mëshqerrave, si dhe investime laboratorike mbi 5.8 milionë euro, të realizuara me mbështetjen e Bankës Botërore.

Gjatë fjalës hyrëse, Menaxheri i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev, z. Naim Krasniqi, theksoi rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes AgroDev dhe SHPQK-së, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një bazë të fortë për fuqizimin e fermerëve, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme. Ai vuri theks të veçantë në rëndësinë e bujqësisë së mençur ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit.

Tema qendrore e konferencës, “Biosiguria, ndryshimet klimatike dhe perspektiva e zhvillimit të sektorit të qumështit”, u vlerësua nga pjesëmarrësit si aktuale dhe thelbësore për të ardhmen e këtij sektori strategjik. Diskutimet nxorën në pah nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet fermerëve, institucioneve, akademisë dhe partnerëve zhvillimorë, me synim ndërtimin e një sektori më të qëndrueshëm, konkurrues dhe rezistent ndaj sfidave klimatike.

Konferenca e III e Qumështit shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbim përvojash, prezantim praktikash të mira dhe ndërtim të një vizioni të përbashkët për zhvillimin afatgjatë të sektorit të qumështit në Kosovë.

Scroll to Top