Pse sëmundjet e bimëve që shfaqen dhe rishfaqen po kthehen në një krizë globale: Kërcënimet e heshtura për ushqimin tonë

Vitet e fundit, bujqësia në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën, po përballet me rritje të vazhdueshme të sëmundjeve të bimëve që shfaqen për herë të parë ose rishfaqen me agresivitet më të madh. Këto sëmundje përhapen më shpejt, shkaktojnë dëme më të mëdha dhe janë shumë më të vështira për t’u kontrolluar sesa dikur.

Ndërsa sëmundjet e njerëzve dhe kafshëve dominojnë lajmet dhe platformat mediatike, shëndeti i bimëve rrallëherë del në qendër të vëmendjes, edhe pse ndikon drejtpërdrejt në ushqimin që ne e konsumojmë çdo ditë.

E vërteta është e thjeshtë dhe e pakëndshme:

Asnjë sistem ushqimor nuk është i sigurt nëse sëmundjet e bimëve injorohen.

Një pandemi e heshtur në përhapje e sipër

Në Evropë, Mesdhe dhe Ballkan shumica e sëmundjeve të bimëve që dikur konsideroheshin të rralla ose të kontrolluara, sot janë duke u rishfaqur me intensitet më të lartë. Sëmundjet tjera shfaqen për herë të parë, teksa shkaqet kryesore janë: tregtia globale, ndryshimet klimatike, lëvizja e materialit të infektuar mbjellës, mungesa e monitorimit dhe kontrollit fitosanitar.

Disa shembuj tregojnë seriozitetin e situatës:

Hardhia: një sektor nën presion

· Xylella fastidiosa, një ndër bakteret më të rrezikshme në botë, ka shkatërruar miliona pemë ulliri në Itali dhe tashmë kërcënon edhe vreshtat

· Plasmopara viticola (vrugu i hardhisë) po rikthehet fuqishëm për shkak të verave më të ngrohta dhe lagështisë së lartë, duke shkaktuar humbje të mëdha në rendiment.

Ulliri: Sindroma e rënies së shpejtë (OQDS)

Shkaktuar nga Xylella fastidiosa, kjo sëmundje ka ndryshuar përgjithmonë peizazhin e Puglias në Itali dhe rrezikon të përhapet në Spanjë, Greqi, Kroaci e më gjerë. Humbjet ekonomike janë miliardëshe.

Agrumet në rrezik

· Citrus tristeza virus (CTV), i përhapur tashmë në shumë vende, zvogëlon ndjeshëm prodhimtarinë dhe cilësinë.

· Speciet Phytophthora po shkaktojnë kalbje rrënjësh dhe humbje të konsiderueshme në plantacione.

Domatja: sulmi i patogjenëve të rinj agresivë

· Tomato brown rugose fruit virus (ToBRFV) është përhapur në dhjetëra vende brenda më pak se 10 viteve – një ritëm pandemik. Edhe rajoni ynë është prekur.

· Ralstonia solanacearum, bakter i rrezikshëm i vyshkjes, po rishfaqet si pasojë e klimës më të ngrohtë dhe kushteve më të favorshme për mbijetesë.

Rreziku, dëmet ekonomike dhe humbjet në ushqim

Sëmundjet e bimëve janë përgjegjëse për: 20–40% të humbjeve globale të të korrave çdo vit (FAO), humbjen e mbi 220 miliard € në ekonominë globale, mijëra ton ushqimesh që shkatërrohen para se të arrijnë në treg, ҫmimet më të larta dhe të ardhurat më të ulëta për fermerët.

Me rritjen e sëmundjeve që shfaqen dhe rishfaqen, rritet edhe presioni për përdorim më të shpeshtë dhe më të lartë të pesticideve, duke rritur kështu rrezikun që në produktet bujqësore të mbesin nivele të larta të mbetjeve kimike, të cilat për konsumatorët përbejnë një kërcenim të heshtur për shëndetin.

Për një vend të vogël siҫ është Kosova, një shpërthim i vetëm – si ToBRFV në serra ose vrugu në vreshta – është i mjaftueshëm për të prekur rëndë prodhimin, tregun dhe sigurinë ushqimore.

Përse nuk flitet për këtë?

Informacioni i detajuar për sëmundjet e bimëve publikohet kryesisht në revista shkencore, ose konferenca profesionale, ku publiku i gjerë nuk ka qasje.

Rritja e ndërgjegjësimit është thelbësor. Fermerët duhet të përdorin material mbjellës të certifikuar; institucionet duhet të forcojnë laboratoret, kufijtë dhe sistemet e paralajmërimit; media duhët të ketë më shumë hapsirë për sigurinë ushqimore; dhe konsumatorët duhët të kuptojnë se cfarë rreziku ekziston përpara se produktet të shfaqen në market.

Pa bimë të shëndetshme nuk ka ushqim-dhe pa ushqim nuk ka siguri, ekonomi apo stabilitet social. Kjo eshtë arsyeja pse sëmundjet e bimëve nuk duhet të trajtohen si “tema teknike”, por si ҫeshtjë e interesit publik.

Tani është momenti që Kosova të flasë më shumë për shëndetin e bimëve. Jo vetëm në konferenca shkencore, por edhe në lajmet e përditshme, në fushata publike dhe në vendimet politike.

Sepse pa bimë të shëndetshme, nuk ka ushqim të shëndetshëm.

Dr. Lumta Dida

Eksperte e mbrojtjes së bimëve

Scroll to Top