Më 3 dhjetor 2025, u mbajt në Prishtinë edicioni jubilar i Konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë, duke mbledhur mbi 380 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe Evropa. Ngjarja shënoi një prej edicioneve më dinamike deri tani, duke krijuar një platformë të fuqishme shkëmbimi për ekspertë, prodhues, eksportues, politbërës dhe organizata zhvillimore.
Programi përfshiu prezantime dhe diskutime profesionale nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët trajtuan tema të rëndësishme për zhvillimin e sektorit, përfshirë:
- zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon,
- trendet dhe kërkesat e tregjeve globale,
- inovacionet gjenetike dhe teknologjike në kultivim,
- plehërimin modern dhe metodat e biokontrollit,
- sfidat klimatike dhe përshtatjen e prodhimit.
Gjatë konferencës u nderuan institucione dhe profesionistë që kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e industrisë së mjedrës:
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
- Caritas Switzerland in Kosovo,
- GIZ Kosovo,
- Prof. Dr. Maxhun Shehaj,
- z. Sami Uka, ish-kryetar i Shoqatës “Mjedra e Kosovës”.
B2B & Networking
Pjesëmarrësit patën mundësi të krijojnë partneritete të reja dhe të eksplorojnë bashkëpunime në tregun vendor dhe ndërkombëtar, duke e pozicionuar sektorin drejt një të ardhmeje më konkurruese dhe më inovative.
Fondacioni AgroDev Kosovo ishte pjesë aktive e programit përmes panelit diskutues “Mjedra: Sfidat, Mundësitë dhe Rruga Përpara”, të moderuar nga z. Naim Krasniqi, Menaxher i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev.
Panelistët përfshinë:
- znj. Lindita Ibishi – Shoqata “Mjedra e Kosovës”,
- z. Erblin Gashi – Eurofruti,
- znj. Falkona Hasani – JONI-SH,
- z. Xhezair Bajrami – Hit Flores.
Diskutimi u fokusua në sfidat aktuale të prodhimit, kapacitetet për rritje, mundësitë e tregut dhe perspektivën e kompanive që operojnë në industrinë e pemëve të imëta. Paneli theksoi se, pavarësisht sfidave, sektori mbetet jashtëzakonisht premtues falë përvojës së akumuluar dhe suksesit të operatorëve vendorë.
Shtandi informues dhe prezantimi i platformës AGROB2B
AgroDev mori pjesë gjithashtu me një shtand informues, ku u prezantua puna e fondacionit dhe aktivitetet që realizohen në kuadër të misionit për përmirësimin e informimit, ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e sektorit agro-ushqimor.
Gjatë konferencës u prezantua platforma inovative AGROB2B, e cila synon të lehtësojë qasjen e bizneseve në tregjet vendore dhe ndërkombëtare përmes një procesi të thjeshtuar dhe efikas. Pjesëmarrësit patën mundësinë të regjistrohen në vend përmes një QR kodi, duke përjetuar shpejtësinë dhe lehtësinë që platforma ofron.



