Më 11 dhjetor 2025, në fermën e Smajl Balajt u mbajt me sukses Dita Fushore, një aktivitet demonstrues ku u prezantuan nga afër teknikat dhe zgjidhjet inovative të zbatuara për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike. Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Thirrjes për Ide Inovative në Bujqësi ndaj Ndryshimeve Klimatike, në kuadër të Fondacionit AgroDev, dhe u financua nga KEP Trust.
Inovacionet që po ndryshojnë qasjen ndaj kultivimit
Gjatë prezantimit, Smajli ndau me të pranishmit mënyrat praktike se si ndërhyrjet e reja e kanë ndihmuar të menaxhojë më mirë sfidat klimatike, përfshirë temperaturat ekstreme, breshërin, ngricat e hershme dhe mungesën gjithnjë e më të madhe të ujit. Tre ndërhyrjet kryesore të projektit përfshijnë:
1. Rrjeta hijezuese – zgjidhje e qëndrueshme dhe me kosto të ulët
Rrjeta hijezuese është integruar mbi serrat tunel si një mjet i rëndësishëm mbrojtës, duke ofruar:
- Hijezim dhe mbrojtje nga rrezet e forta të diellit;
- Mbrojtje të kulturës nga breshëri;
- Reduktim të stresit nga temperaturat e larta;
- Kontribut në zvogëlimin e dëmeve nga ngricat e hershme.
Kjo zgjidhje me kosto të ulët është e lehtë për t’u implementuar nga çdo fermer, duke rritur ndjeshëm rezistencën e serrës ndaj kushteve të paqëndrueshme klimatike.
2. Folia e bardhë për mulçerim – më pak nxehtësi, më shumë efikasitet
Vendosja e folies së bardhë në serrë ka përmirësuar dukshëm menaxhimin e kushteve të brendshme, duke sjellë:
- Ulje të temperaturave brenda serrës;
- Nevojë më të vogël për ujitje;
- Më pak stres për bimët për shkak të stabilitetit më të mirë të mikroklimës.
Kjo ndërhyrje është treguar veçanërisht efektive në periudhat e verës, kur temperaturat e larta përbëjnë sfidë të madhe për fermerët.
3. Sistemi i mençur i ujitjes – kursim kohe dhe uji
Një tjetër risi që ka lehtësuar dukshëm punën e fermerit është sistemi i mençur i ujitjes, i cili mundëson:
- Monitorim dhe kontroll të ujitjes nga distanca;
- Kursim uji falë shpërndarjes së saktë;
- Zhvillim më të mirë të bimëve për shkak të ujitjes së kontrolluar dhe në kohën e duhur.
Ky sistem jo vetëm që ul kostot dhe kohën e punës, por njëkohësisht rrit edhe efikasitetin e prodhimit.
Zëvendësimi i kultivarëve – masë strategjike për stabilitet
Si pjesë e adaptimit ndaj klimës, Smajli ka zëvendësuar kultivarët e hershëm me ato më të vonshëm. Kjo masë ka ndihmuar në:
- Uljen e rrezikut nga ngricat pranverore;
- Rritjen e sigurisë së prodhimit vjetor;
- Përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së kulturave.
Pjesëmarrja dhe ndikimi i aktivitetit
Në aktivitet morën pjesë fermerë të zonës, agronomë, studentë të bujqësisë, përfaqësues nga KEP Trust, ofrues të inputeve bujqësore si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Bujqësisë së Komunës së Skenderajt. Të pranishmit patën mundësi të shohin nga afër rezultatet e projektit dhe të diskutojnë praktikat që mund t’i zbatojnë edhe vetë në fermat e tyre.
Falënderime
Një falënderim i veçantë i dedikohet z. Smajl Balaj për angazhimin dhe vullnetin për të sjellë inovacione në sektorin e pemëve të imta. Po ashtu, falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për kohën, interesimin dhe diskutimet e vlefshme që e bënë këtë ditë jashtëzakonisht të frytshme dhe inspiruese.



